You dont have javascript enabled! Please enable it! Mërgimtari Shqiptar në Zvicër po lëvizte me 171 km/h - 37-vjeçari shkaktoi një aksident të rëndë...

Mërgimtari Shqiptar në Zvicër po lëvizte me 171 km/h – 37-vjeçari shkaktoi një aksident të rëndë…

Pasi kishte konsumuar nëntë birra dhe po lëvizte me 171 km/orë jashtë zonës urbane, një 37-vjeçar nga Kosova shkaktoi një aksident të rëndë. Automjeti i tij la pas një gjurmë frenimi dhe përplasjeje prej rreth 180 metrash. Si pasojë, biznesmeni u dënua me gjashtë muaj burg efektiv.

Të hënën, ai doli para Gjykatës së Qarkut në Dietikon të kantonit të Cyrihut për t’u përballur me akuzat ndaj tij.

Ngjarja kishte ndodhur në shkurt 2023, pak pas mesnate. Sipas raportimeve të publikuara nga portali zviceran “20 Minuten”, ai po udhëtonte me Mercedesin e tij 320 kuaj fuqi përgjatë rrugës Bernstrasse në Dietikon, në drejtim të Mutschellenit, me shpejtësi 171 km/orë – më shumë se dyfishi i kufirit të lejuar prej 80 km/orë.

Sipas aktakuzës, për shkak të shpejtësisë së lartë, shoferi humbi kontrollin në një kthesë të lehtë majtas dhe doli nga rruga në anën e djathtë. Fillimisht u përplas me një shtyllë sinjalizuese dhe më pas përshkoi një livadh pranë rrugës.

Më tej, makina goditi shkurre, pemë, një shtyllë metalike dhe një traversë druri hekurudhore. Pas rreth 155 metrash, u përplas me një mur guri, duke u hedhur në ajër. Rreth 25 metra më pas, automjeti ra sërish në tokë dhe përfundimisht u ndal pranë rrugës, plotësisht i shkatërruar, pasi kishte lënë pas një gjurmë totale prej afro 180 metrash.

Çuditërisht, drejtuesi i mjetit shpëtoi pa lëndime. Analizat treguan se ai kishte konsumuar 8 deri në 9 birra para se të hipte në timon dhe kishte një nivel alkooli në gjak prej 0.85 promilësh. Pas aksidentit, ai qëndroi në vendngjarje duke pritur policinë, e cila ishte lajmëruar nga persona të tjerë.

Rasti u trajtua në një procedurë të përshpejtuar. Prokuroria propozoi një dënim prej 30 muajsh burg, pjesërisht me kusht, ku 6 muaj do të vuahen në formë gjysmë-arresti. Përveç kësaj, ai duhet të paguajë 1,500 franga zvicerane gjobë, rreth 20,000 franga shpenzime gjyqësore, si dhe kostot e mbrojtjes ligjore.

“Ishte një gabim i madh, i pafalshëm,” deklaroi 37-vjeçari, baba i dy fëmijëve. Ai tha se pas punës kishte pirë me kolegët dhe më pas ishte nisur për në shtëpi. “E mbivlerësova veten si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Një situatë e tillë nuk do të përsëritet më,” u shpreh ai.

Gjykata vuri në dukje se ai kishte edhe dy shkelje të mëparshme në trafik. Vetë i pandehuri premtoi se kjo ishte hera e fundit që përballej me drejtësinë për çështje të tilla.

Më herët, për shkak të një aksidenti tjetër, atij i ishte pezulluar patenta për disa vite dhe e kishte rimarrë vetëm pas afro tre vitesh. Tashmë do t’i duhet gjithashtu të ndjekë një program rehabilitimi për drejtuesit që shkelin rregullat e trafikut.

Pas një shqyrtimi të shkurtër, gjykata miratoi propozimin e prokurorisë. “Mund të thuhet se shpëtove lehtë,” theksoi gjykatësja, duke paralajmëruar se nëse gjatë katër viteve të provës ai kryen një tjetër vepër penale, do t’i duhet të vuajë edhe pjesën e mbetur prej dy vitesh të dënimit me kusht.