Me afrimin e sezonit dimëror, mijëra qytetarë të Kosovës dhe bashkatdhetarë që jetojnë në vendet evropiane përgatiten për udhëtime me automjete. Megjithatë, rregullat për përdorimin e gomave të dimrit nuk janë të njëjta në çdo shtet. Në disa vende pajisjet dimërore janë të detyrueshme gjatë një periudhe të caktuar, në të tjera vetëm kur ka borë ose akull, ndërsa mosrespektimi i tyre mund të sjellë gjoba, ndalim të vazhdimit të udhëtimit dhe përgjegjësi shtesë në rast aksidenti.
Për sezonin dimëror 2026–2027, drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë ndërmjet Kosovës, vendeve të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore duhet t’i kushtojnë vëmendje datave, thellësisë së profilit të gomave, shenjave që duhet të kenë ato dhe detyrimit për mbajtjen e zinxhirëve.
Kosovë – 15 nëntor deri më 15 mars
Në Kosovë, pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori 2026 deri më 15 mars 2027. Sipas udhëzimeve të Policisë, automjetet duhet të jenë të pajisura për kushtet dimërore, ndërsa gomat e dimrit me shënimin M+S dhe profil të përshtatshëm janë ndër pajisjet e parapara.
Për automjetet e pasagjerëve, pajisjet dimërore mund të përfshijnë edhe kombinimin e gomave verore me profil të paktën 4 milimetra dhe zinxhirëve për rrotat aktive, sipas kushteve të përcaktuara. Drejtuesit duhet të përgatiten për kontrolle policore gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, në zonat malore dhe në segmentet me borë ose ngrica, autoritetet mund të kërkojnë pajisje të përshtatshme dhe përdorimin e zinxhirëve.
Për udhëtarët që kalojnë nga Kosova drejt Shqipërisë, veçanërisht gjatë udhëtimit në rajonet malore, rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe mbajtja e zinxhirëve në automjet.
Kroacia – 15 nëntor deri më 15 prill
Në Kroaci, pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 prill në segmentet rrugore të përcaktuara si rrugë dimërore, pavarësisht nëse ka borë.
Për veturat deri në 3.5 tonë pranohen katër goma dimërore ose katër goma verore me profil minimal 4 milimetra, së bashku me zinxhirë apo pajisje të miratuara kundër rrëshqitjes për rrotat aktive
Slloveni – 15 nëntor deri më 15 mars
Në Slloveni, nga 15 nëntori 2026 deri më 15 mars 2027, të gjitha automjetet duhet të jenë të pajisura me pajisjet e përcaktuara dimërore, pavarësisht kushteve atmosferike. Ky detyrim zbatohet
edhe jashtë kësaj periudhe kur në rrugë ka borë, akull ose ngrica. Për veturat deri në 3.5 tonë, legjislacioni slloven lejon dy alternativa: përdorimin e katër gomave dimërore me shenjën M+S ose simbolin e flokut të borës, me thellësi minimale të profilit prej 3 milimetrash, ose përdorimin e katër gomave verore me profil të paktën 3 milimetra, duke pasur në automjet zinxhirë të përshtatshëm për
rrotat aktive.
Kur rrugët janë të mbuluara me borë ose akull, drejtuesit që përdorin goma verore duhet t’i vendosin zinxhirët në rrotat aktive. Një përjashtim zbatohet në zonën bregdetare ndërmjet Črni Kal dhe Sečovlje, ku lejohen goma verore me profil të paktën 3 milimetra edhe pa zinxhirë.
Gjobat në Slloveni fillojnë nga 40 euro për mungesë të pajisjeve dimërore. Nëse automjeti bllokon qarkullimin për shkak të pajisjeve të papërshtatshme, shoferi mund të dënohet me 500 euro dhe pesë pikë ndëshkuese. Për moslargimin e borës dhe akullit nga automjeti parashihet gjobë prej 200 eurosh, ndërsa mosrespektimi i sinjalizimit rrugor për kufizimet dimërore mund të kushtojë 300 euro.
Këto rregulla vlejnë edhe për automjetet me targa të Kosovës dhe shteteve të tjera që udhëtojnë transit nëpër Slloveni. Për mërgimtarët që udhëtojnë nga Zvicra, Gjermania ose Austria drejt Kosovës përmes Sllovenisë, rekomandohet përdorimi i katër gomave dimërore me të paktën 4 milimetra profil, për të përmbushur edhe kërkesat e disa shteteve të tjera gjatë udhëtimit.
Austri – 1 nëntor deri më 15 prill
Në Austri, nga 1 nëntori deri më 15 prill, gomat dimërore janë të detyrueshme në të katër rrotat e automjeteve deri në 3.5 tonë kur rrugët janë të mbuluara me borë, akull ose llucë bore.
Gomat radiale duhet të kenë të paktën 4 milimetra profil. Si alternativë mund të përdoren zinxhirë në të paktën dy rrota aktive, por vetëm në rrugë që janë pothuajse vazhdimisht të mbuluara me borë ose akull. Rregullat vlejnë edhe për automjetet me targa të huaja.
Itali – 15 nëntor deri më 15 prill, sipas rrugësItalia nuk ka një detyrim të përgjithshëm për goma dimërore në të gjithë territorin. Megjithatë, në shumë rrugë dhe autostrada zbatohen urdhëresa sezonale, zakonisht nga 15 nëntori deri më 15
prill. Në segmentet ku zbatohet urdhëresa, drejtuesit duhet të përdorin goma dimërore ose të mbajnë në automjet zinxhirë të përshtatshëm. Shenjat rrugore përcaktojnë detyrimin konkret.
Gjermani – detyrimi varet nga kushtet atmosferike
Gjermania nuk ka datë fikse për vendosjen e gomave dimërore. Detyrimi zbatohet kur rrugët kanë borë, akull, ngrica ose llucë bore.
Nga 1 tetori 2024, vetëm shënimi M+S nuk mjafton më për t’u konsideruar gomë dimërore e pranueshme në këto kushte. Gomat dimërore dhe ato për të gjitha stinët duhet të kenë simbolin Alpine, që paraqet një mal me tri maja dhe një flok dëbore.
Thellësia minimale ligjore e profilit është 1.6 milimetra, por klubi automobilistik ADAC rekomandon të paktën 4 milimetra për siguri
më të mirë.
Zvicër – pa detyrim të përgjithshëm, por me përgjegjësi për shoferin
Në Zvicër nuk ekziston detyrim i përgjithshëm ligjor për përdorimin e gomave dimërore gjatë një periudhe të caktuar.
Megjithatë, drejtuesit duhet ta kenë automjetin të përshtatshëm për kushtet e rrugës. Nëse një shofer shkakton aksident ose bllokon trafikun për shkak të gomave të papërshtatshme, mund të përballet me përgjegjësi ligjore dhe pasoja në trajtimin e sigurimit.
Për shkak të terrenit malor dhe reshjeve të borës, përdorimi i gomave dimërore rekomandohet gjatë sezonit të ftohtë, ndërsa zinxhirët mund të bëhen të nevojshëm në rrugët ku këtë e kërkon sinjalizimi.