Lajm i mirë për mërgimtarët që jetojnë në Gjermani
Nga janari 2027, punonjësit do të marrin 70 cent më shumë bruto për çdo orë pune, ndërsa kufiri mujor i të ardhurave për Minijob do të arrijë në 633 euro.
Punëtorët nga Kosova që janë të punësuar në Gjermani do të përfitojnë nga rritja e ardhshme e pagës minimale ligjore, e cila nga 1 janari 2027 do të jetë 14.60 euro bruto për orë, krahasuar me 13.90 euro sa është nga fillimi i vitit 2026. Rritja është miratuar nga Qeveria Federale Gjermane dhe vlen në parim për punonjësit, pavarësisht shtetësisë së tyre, transmeton albinfo.ch.
Me tarifën e re, një punonjës që punon 40 orë në javë do të mund të fitojë mesatarisht rreth 2.530 euro bruto në muaj. Shuma përfundimtare që merr në llogari do të jetë më e ulët, pasi varet nga tatimet, kontributet e sigurimeve dhe rrethanat personale të punonjësit.
Krahasuar me vitin 2026, paga minimale do të rritet me 70 cent për orë. Ndërsa në raport me vitin 2025, kur minimumi ligjor ishte 12.82 euro bruto në orë, rritja e përgjithshme deri në vitin 2027 do të jetë rreth 13.9 për qind.
Ndryshon edhe kufiri për Minijob
Përveç pagës minimale, nga 1 janari 2027 do të rritet edhe kufiri i të ardhurave për personat e punësuar përmes sistemit Minijob.
Në vitin 2026, ky kufi është 603 euro në muaj, ndërsa vitin e ardhshëm do të arrijë në 633 euro. Kjo do të thotë se të ardhurat vjetore nga Minijob mund të arrijnë deri në 7.596 euro, sipas kufirit të përcaktuar.
Minijob është një formë punësimi me të ardhura të kufizuara, ku kufiri lidhet me nivelin e pagës minimale. Edhe punonjësit në këtë kategori kanë të drejtë të paguhen të paktën sipas pagës minimale ligjore për çdo orë pune, përveç rasteve të përjashtuara shprehimisht nga legjislacioni.
Paga minimale e përgjithshme u vendos për herë të parë në Gjermani në vitin 2015, në nivelin prej 8.50 eurosh bruto për orë. Rritja e planifikuar për vitin 2027 përbën hapin e dytë të rritjes së miratuar për periudhën 2026–2027. /Albinfo.ch