Ulje e ndjeshme tarifash në Basel-Stadt
Kostoja për marrjen e pasaportës zvicerane në Basel-Stadt do të ulet ndjeshëm më 1 korrik, duke rënë nga 1,750 në 900 franga.
Lajmi u bë i ditur këtë javë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë i këtij kantoni.
Nga e njëjta datë, aplikantët nën 25 vjeç dhe ata me të ardhura të ulëta do të paguajnë vetëm tarifën federale (50 deri në 150 franga), duke u çliruar plotësisht nga taksat kantonale dhe komunale.
Parlamenti i Bazelit e pati votuar këtë vendim në dhjetor 2025, por pa caktuar një datë ekzekutimi.
Nisma u propozua nga deputeti i Partisë Social Demokrate, Mahir Kabakci.
Synimi ishte që të stimulohen të huajt e kualifikuar që të marrin shtetësinë dhe të votojnë.
“Një kanton me 38.7% të huaj duhet t’u japë atyre të drejta politike,” deklaroi Kabakci.
Kosto të ndryshme sipas kantoneve
Në Zvicër, tarifat e natyralizimit i cakton çdo kanton dhe ato ndryshojnë shumë.
Për më tepër, ekzistojnë tre nivele pagesash:
Federale: 100 franga për person, 150 franga për çiftet.
Kantonale: deri në 2,000 franga për person.
Komunale: nga 500 deri në 1,000 franga për person.
Këto shifra janë mesatare, por disa kantone i kalojnë këto kufij, raporton thelocal.
Gjithashtu, çmimi varet nëse bëhet fjalë për procedurë të zakonshme apo të thjeshtuar, ku e para kushton më shumë.