Tragjedi në Gjermani, ndërron jetë papritur në moshën 37-vjeçare koreografi shqiptar Leander Veizi
Tragjedi në Gjermani, ndërron jetë papritur në moshën 37-vjeçare koreografi shqiptar Leander Veizi
Koreografi dhe balerini shqiptar Leander Veizi ka ndërruar jetë papritur në Gjermani, në moshën 37-vjeçare. Ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në qytetin e Regensburgut.
Një lajm i trishtë ka ardhur nga Gjermania, ku koreografi dhe balerini shqiptar Leander Veizi është ndarë papritur nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Shtetëror i Regensburgut, ku artisti ishte pjesë e trupës së vallëzimit që nga viti 2022.
Sipas njoftimit të publikuar nga institucioni, Veizi u gjet i pajetë në banesën e tij në Regensburg të hënën, më 9 nëntor 2026. Ndërkohë, sipas informacioneve të bëra publike nga policia, nuk janë konstatuar shenja dhune apo përfshirje të një personi tjetër.
Leander Veizi kishte ndërtuar një karrierë të rëndësishme në botën e vallëzimit dhe koreografisë. Ai kishte përfunduar studimet në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë, si dhe në Scuola del Balletto di Toscana në Itali.
Gjatë karrierës së tij artistike, ai kishte bashkëpunuar me institucione të njohura të artit skenik, përfshirë Operën Kombëtare Shqiptare, Gauthier Dance në Stuttgart, Ballet Vorpommern dhe TanzTheater Münster.
Në vitin 2022, Veizi iu bashkua Teatrit Shtetëror të Regensburgut, ku krahas angazhimit si balerin, zhvilloi edhe veprimtarinë e tij si koreograf.
Në fillim të sezonit aktual artistik, ai kishte marrë përsipër edhe drejtimin e përkohshëm të kompanisë së vallëzimit, duke dëshmuar vlerësimin dhe besimin që institucioni kishte ndaj punës së tij.
Përmes një deklarate prekëse, Teatri Shtetëror i Regensburgut ka shprehur dhimbjen për humbjen e artistit, duke e cilësuar atë si një koleg të çmuar, mik të dashur dhe artist frymëzues.
Institucioni ka bërë të ditur se mendimet e tyre janë pranë familjes së tij në Shqipëri, Itali dhe SHBA, partneres dhe njerëzve të tij më të afërt.
Në nderim të kujtimit të Leander Veizit, në ambientet e teatrit në Bismarckplatz është vendosur edhe një libër ngushëllimesh, ku kolegët dhe qytetarët mund të shprehin respektin dhe dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta.
Humbja e Leander Veizit përbën një lajm të rëndë për komunitetin artistik shqiptar dhe atë ndërkombëtar.