You dont have javascript enabled! Please enable it! Lajm i keq/ Sllovenia merr vendimin e ri që i ndikon Mërgimtarët

Lajm i keq/ Sllovenia merr vendimin e ri që i ndikon Mërgimtarët

Sllovenia përgadit kushte më të rrepta për të huajt, për familje do të nevojiten 2.200 euro

Sllovenia po përgatit kushte dukshëm më të rrepta për qëndrimin e shtetasve të huaj. Ndër ndryshimet më të mëdha është rritja e të ardhurave që duhet të dëshmohen për të marrë leje qëndrimi dhe për bashkim familjar.

Ndryshimet e propozuara të Ligjit për të huajt janë përgatitur nga Ministria sllovene e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe janë ende në procedurë ligjore. Portali zyrtar eUprava thotë se propozimi më 20 gusht u dërgua për harmonizim ndërministror, përcjell Pa Censurë.

Një nga ndryshimet më të diskutueshme ka të bëjë me mjetet që punëtori i huaj duhet të dëshmojë se i ka për qëndrim në vend. Pragu aktual prej rreth 507 eurosh në muaj, sipas zgjidhjes së propozuar, do të rritej në 1.014 euro.

Edhe më i lartë është pragu kur i huaji dëshiron të bashkojë familjen në Slloveni. Sipas llogaritjeve të organizatave sllovene që e kanë analizuar propozimin, do të nevojiteshin 1.014 euro të ardhura neto mujore për mbajtësin e lejes, rreth 580 euro për bashkëshortin ose partnerin dhe rreth 600 euro shtesë për çdo fëmijë.

Kjo do të thotë se një familje treanëtarëshe do të duhej të dëshmonte të ardhura neto prej rreth 2.200 eurosh në muaj.

Shuma është dukshëm mbi të ardhurat e një pjese të madhe të punëtorëve në Slloveni. Sipas të dhënave të fundit të Entit slloven të Statistikës, paga mesatare neto e të punësuarve në persona juridikë në qershor ishte 1.723,31 euro, ndërsa në sektorin privat 1.591,84 euro, transmeton Pa Censurë.

Tek të punësuarit te personat fizikë të regjistruar, paga mesatare neto në qershor ishte edhe më e ulët: 1.117,06 euro.

Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se kushtet e reja do t’i godisnin më fort punëtorët e huaj me paga të ulëta, mes të cilëve ka shumë njerëz nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Goran Lukiç nga Këshillimi Punëtor slloven paralajmëron se një pjesë e madhe e të huajve tashmë kanë të ardhura neto nën pragun e propozuar, ndërsa rritja e mëtejshme mund t’ua vështirësojë seriozisht qëndrimin e ligjshëm dhe jetën me familjen.

Propozimi parashikon edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm. Periudha pas së cilës i huaji mund të kërkojë bashkim familjar, sipas informacioneve të mediave dhe organizatave joqeveritare sllovene, do të zgjatej nga një në tre vjet.

Qendra juridike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut paralajmëron se me këto ndryshime të huajt do ta kishin më të vështirë të merrnin leje qëndrimi në bazë të punës, studimeve dhe bashkimit familjar, dhe ngre pyetjen nëse disa nga zgjidhjet e propozuara janë në përputhje me rregullat evropiane për jetën familjare.

Propozimi vjen në një periudhë kur qeveria e re sllovene e kryeministrit Janez Jansha njofton një qasje më të rreptë ndaj politikës migratore. Jansha e mori sërish funksionin më 4 qershor 2026, kur u zgjodh qeveria e re sllovene.

Nëse ndryshimet miratohen në formën e propozuar, për shumë punëtorë të huaj pyetja nuk do të jetë më vetëm nëse mund të gjejnë punë në Slloveni, por nëse paga e tyre është mjaft e lartë që të jetojnë ligjërisht në vend edhe me familjen e tyre.