Kompania e logjistikës me bazë në Schwyz të Zvicrës, Kühne+Nagel, ka njoftuar se do të shkurtojë një numër shumë më të madh vendesh pune krahasuar me parashikimet fillestare.
Sipas raportimit të The Local, gjatë këtij viti do të shkurtohen më shumë se 2,000 pozicione pune, ndryshe nga 1,000 deri në 1,500 që ishin menduar në fillim.
Ky vendim vjen për shkaqe financiare, me synimin për të kursyer rreth 150 milionë franga, një shifër kjo që e kalon cakun e mëparshëm të kursimeve prej 110 milionësh.
Aksioneri kryesor i kësaj korporate është Klaus-Michael Kühne, një shtetas gjerman.
Pasuria e tij llogaritet të jetë rreth 41 miliardë franga, duke e bërë atë të huajin me pasurinë më të madhe që banon në Zvicër.
Vetëm një nga të shumtat
Rasti i Kühne+Nagel thjesht i shtohet një liste të gjatë sipërmarrjesh në shtetin zviceran të cilat kanë në plan – ose tashmë kanë filluar – të largojnë nga puna qindra apo mijëra punonjës.
Pjesë e kësaj vale është edhe kompania e sigurimeve Helvetia Baloise, e cila pritet të shkurtojë nga 1,400 deri në 1,800 pozicione brenda territorit zviceran në tre vitet në vijim.
Gjithashtu, rreth 3,000 punëtorë të UBS në Zvicër pritet të mbeten të papunë, si një lëvizje e bankës brenda strategjisë për të reduktuar me 10,000 veta stafin e saj në mbarë botën.
Në të njëjtën linjë, kolosi i farmaceutikës Novartis ka parashikuar mbylljen e 550 vendeve të punës në Zvicër deri në mbyllje të 2027-ës, ndërkohë që rrjeti transmetues publik SRG do të pushojë rreth 900 persona në tre vitet e ardhshme për të minimizuar shpenzimet.
Maja e ajsbergut
Sidoqoftë, reduktimi i stafit nuk po godet vetëm sektorin e bizneseve private.
Si pasojë e uljes së financimeve nga Shtetet e Bashkuara, mijëra punëtorë të agjencive të Kombeve të Bashkuara me bazë në Gjenevë kanë humbur vendin e punës, me paralajmërime për shkurtime të mëtejshme gjatë vitit 2026.
Nisur nga kjo situatë dhe këto humbje të konsiderueshme, çfarë pritet të ndodhë me tregun zviceran të punës?
Situata nuk është aq e zymtë, theksojnë ekspertët e ekonomisë.
Për ilustrim, Instituti Ekonomik KOF thekson se “edhe pse pati një shtim të normës së papunësisë [përgjatë 2025-ës], indikatorët bazë dëshmojnë ende për një treg punësimi mjaft të qëndrueshëm”.
Kjo ndodh sepse “deficiti për krahë pune vazhdon të jetë i ndjeshëm në pothuajse çdo degë të ekonomisë, dhe i njëjti trend vihet re edhe te numri i lartë i pozicioneve të hapura”.
Analistët pranë Economiesuisse, e cila funksionon si organizatë përfaqësuese e bizneseve në Zvicër, pohojnë po ashtu se këto valë shkurtimesh nuk pritet të lënë gjurmë të rënda në tregun e brendshëm të punës.
Sipas tyre, megjithëse disa kompani po mbyllin pozicione, njëkohësisht po hapen shumë mundësi të reja punësimi.
Për këtë arsye, niveli i papunësisë gjatë këtij viti pritet të pësojë vetëm një rritje të lehtë, duke shkuar mesatarisht në 3 për qind, krahasuar me 2.8 për qind që ishte në vitin 2025.