Plazhi në Velipojë bëhet me çmim tavan, 900 lekë për një çadër apo gati 10 Euro
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar një sërë vendimesh për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku vëmendjen kryesore e ka marrë rregullimi i tregut të shërbimeve në bregdet. Përmes një projektvendimi të votuar në mbledhjen e fundit, institucioni ka vendosur zyrtarisht çmimet tavan për dhënien me qira ditore të çadrave dhe shezlongëve në plazhin e Velipojës për këtë vit.
Sipas projektvendimit të zbardhur, asnjë subjekt privat nuk do të lejohet të tejkalojë tarifat e përcaktuara nga bashkia. Konkretisht, çmimi maksimal për një çadër të shoqëruar me dy shezlongë do të jetë deri në 900 lekë (përfshirë TVSH-në). Ndërkaq, për pushuesit që preferojnë hapësirat më të mëdha, çmimi maksimal për një gazebo nuk do të kalojë vlerën prej 1500 lekësh (përfshirë TVSH-në).
Ky vendim u kalua me shumicë votash nga anëtarët e këshillit bashkiak, duke siguruar 26 vota pro, ndërsa u regjistrua vetëm 1 votë kundër dhe 3 abstenime.
Në argumentimin e kësaj mase, autoritetet theksuan se ndërhyrja vjen si një domosdoshmëri për të garantuar një nivel tarifor sa më të përballueshëm për familjet dhe vizitorët ditorë.