Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim kundër kryetarit të Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe një administratori gjyqësor, nën dyshimin për marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Sipas informacioneve nga prokuroria, dy të dyshuarit në periudhën nga janari i vitit 2023 deri në vitin 2025, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tyre zyrtar, kanë kërkuar dhe pranuar gjithsej 8.000 euro për të ndërhyrë te gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Gostivarit dhe në Gjykatën e Apelit në Gostivar lidhur me një kontest civil.
Siç njofton Prokuroria, fillimisht për një shumë prej 5.000 eurosh ata duhej të ndërhynin te një gjyqtar në Gjykatën e Gostivarit për të nxjerrë një vendim për përsëritjen e procedurës në një lëndë për të cilën paraprakisht ishte marrë aktgjykim refuzues. Pasi nuk ia dolën, përsëri me kërkesë të të dyshuarve, me mjete shtesë në vlerë prej 3.000 eurosh duhej të ndërhynin te gjyqtarët e shkallës së dytë për shfuqizimin e vendimit me të cilin nuk lejohej përsëritja e procedurës.
Në hetim është përfshirë edhe administratori gjyqësor, i cili sipas prokurorisë ka pranuar 800 euro shtesë për të kryer një punë lidhur me një dokument të dorëzuar nga një përmbarues.
“Të dyshuarit, bashkërisht dhe me dashje, kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre real dhe të supozuar si kryetar gjykate dhe administrator gjyqësor për të kërkuar dhe marrë ryshfet me qëllim që të ndërhyjnë te gjyqtarët për kryerjen e veprimeve zyrtare që nuk do të duhej të kryheshin. Për dy të dyshuarit prokuroria ka kërkuar masa kujdesi.(INA)