Kosovari shkon në Gjermani me automjet me 56 defekte, Ja çka i ndodhi atje…
Gjermani: Ndalohet autotransportuesi i kosovarit – Policia zbulon 56 defekte teknike alarmante
Një 26-vjeçar nga Kosova është ndaluar nga policia gjermane në qarkun Mettmann, pasi mjeti i tij transportues u cilësua si rrezik publik. Gjatë një kontrolli rutinë të mërkurën, autoritetet zbuluan plot 56 defekte në mjetin e tij, shumë prej të cilave tejet serioze.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:30 në autostradën A3, kur oficerët e trafikut pikasën mjetin e dyshimtë dhe e shoqëruan atë në zonën e pushimit për një inspektim të detajuar.
Rezultati i ekspertizës ishte tronditës. Mjeti, i cili kishte mbi 400,000 kilometra të kaluara dhe përdorej për blerjen e makinave nëpër Evropë, ishte në gjendje të mjerueshme teknike:
- Frenat e rimorkios ishin jashtë funksionit.
- Shufra tërheqëse rrezikonte të shkëputej.
- Dritat e pasme ishin të dëmtuara.
- Mungonin të gjithë amortizatorët.
Përveç rimorkios, edhe vetë furgoni kishte dëme kapitale, duke përfshirë ndryshkjen e strukturës mbajtëse, rrjedhje të karburantit dhe sistemit të shkarkimit, si dhe rripin e sigurimit të papërdorshëm.
Për shkak të pasigurisë totale, mjeti u sekuestrua në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit u ndëshkua me një gjobë prej 700 eurosh, si dhe u detyrua të paguajë rreth 600 euro shtesë për shpenzimet e ekspertizës teknike.