Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, si komuniteti më organizativ në mërgatën shqiptare, ka arsye të gëzohet pasi së fundi ka inauguruar një xhami të re shqiptare për nevojat e besimtarëve, e cila do të shërbejë edhe si një qendër edukimi e kulture, përcjell Epiqendra.
Ky është fjalimi i nënkryetarit të KMSHZ, Fehim ef. Abazit, me rastin e inaugurimit të Xhamisë së re Shqiptare në Fribourg:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve komunale, kantonale dhe federale të Zvicrës, i nderuar imam, kryetar, anëtarë të kryesisë dhe xhemati i xhamisë shqiptare në Fribourg, të respektuar hoxhallarë, mysafirë, vëllezër e motra,
Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!
Sot është një ditë e bekuar. Një ditë gëzimi dhe krenarie për të gjithë ne – sepse para nesh qëndron një vepër e madhe: xhamia jonë e re shqiptare në Fribourg.
Në emër të kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Hafiz Mehas ef. Alija, kryesisë dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë për këtë arritje madhështore.
Kjo xhami nuk është vetëm një ndërtesë me gurë e mure, por një shtëpi e Zotit, një vatër drite, besimi dhe bashkimi, ku do të rritet shpirti, dashuria dhe përkushtimi ndaj vlerave tona më të larta.
Falënderimi i parë i takon Allahut të Madhërishëm, që na ka mundësuar të arrijmë këtë ditë të gëzueshme. Falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan me punë, me mund, me ndihmë, me ide e me lutje. Çdo dorë që ndihmoi në këtë vepër, ka vendosur një gur mirësie në themelet e saj.
Por sot, dua të theksoj në veçanti mirënjohjen tonë të thellë ndaj autoriteteve zvicerane komunale, kantonale dhe federale, për mbështetjen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë treguar ndaj komunitetit tonë.
Ky bashkëpunim është dëshmi se Zvicra është vend i respektit, i dialogut dhe i vlerave të përbashkëta.
Këtu, feja nuk shihet si ndarje, por si urë që lidh njerëzit në paqe dhe harmoni. Ne nuk e harrojmë kurrë mirësinë e popullit zviceran. Në kohë të vështira, Zvicra hapi dyert për ne, na ofroi siguri, dinjitet dhe mundësi për një jetë të re. Siç thotë urtia popullore: “Miku i mirë njihet në ditë të vështira.”
Dhe për ne, Zvicra ka qenë dhe mbetet një mik i vërtetë. Prandaj, si qytetarë shqiptarë që jetojmë në këtë vend të bukur, kemi detyrim moral e njerëzor ta nderojmë këtë mikpritje, me punë të ndershme, me respekt për ligjin dhe me shembull të mirë në çdo veprim tonin.
Ky është falënderimi më i bukur që mund t’i japim këtij vendi që na ka pranuar me zemër të hapur.
Të dashur besimtarë,
Kjo xhami le të jetë më shumë se një vend faljeje. Le të jetë qendër edukimi, bashkimi dhe solidariteti. Le të mbetet gjithmonë e hapur për të gjithë, duke përçuar dritën e fesë, të moralit dhe të paqes. Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuuan për këtë vepër të madhe,
dhe e bëftë këtë xhami vatër drite, harmonie dhe dashurie për brezat që vijnë. Le të jetë kjo shtëpi e Zotit një urë lidhjeje mes kulturave, zemrave dhe gjeneratave. Në përfundim, lusim Zotin e Madh që të bekojë këtë xhami, këtë qytet, dhe këtë vend mikpritës – Zvicrën, duke na udhëhequr të gjithëve në rrugën e paqes, të respektit dhe të përparimit.
Zoti e bekoftë Zvicrën dhe popullin shqiptar! Allahu ju shpërbleftë të gjithëve!
Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!