Kërset ‘grushti’ në burgun e sigurisë së lartë, “Cobra” rrah “Italianin”
Një konflikt fizik ka ndodhur brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, ku janë përfshirë Dibran Hoxhaj dhe Andi Pajaziti.
Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, dyshohet se ishte Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra” ai i cili ka sulmuar Andi Pajazitin i njohur me nofkën “Italiani” brenda burgut, duke ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektuesi Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se të dy të burgosurit kanë pranuar trajtim mjekësor nga stafi shëndetësor brenda burgut.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Dibran Hoxhaj – “Cobra” është i njohur për opinionin publik lidhur me rastin e vrasjes së shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren, ngjarje kjo që kishte ndodhur në janar të vitit 2023, e për të cilën Dibran Hoxhaj është dënuar me 24 vite burgim. “Cobra” ishte dënuar me 23 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe me dy vite të tjera burgim për armëmbajtje pa leje, duke i shqiptuar dënim unik prej 24 vitesh burgim.
Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani” u bë emër i njohur për opinionin pas konfliktit fizik që kishte ndodhur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë para rreth 3 vitesh, konflikt ky që kishte eskaluar pastaj në përdorim armësh mes dy grupeve të armatosura.
Andi Pajaziti ishte akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit, por që Gjykata kishte konstatuar se “Italiani” kishte vepruar në vetmbrojtje dhe e kishte liruar të njëjtin nga akuza për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Ai është denuar me dy vite burgim për mbajtje të paautorizuar të armës, ndërsa aktualisht gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë në vuajtje të dënimit.