You dont have javascript enabled! Please enable it! Këto ndryshime do të hyjnë në Fuqi në Zvicër gjatë vitit 2026

Këto ndryshime do të hyjnë në Fuqi në Zvicër gjatë vitit 2026

Viti i ri sjell disa ndryshime të rëndësishme në Zvicër, nga rregullat e reja në trafikun rrugor, te shëndetësia, sigurimet shoqërore, e deri te legjislacioni penal dhe identiteti digjital. Më poshtë gjeni një përmbledhje të ndryshimeve kryesore që hyjnë në fuqi gjatë vitit 2026.

• Ndryshimet në qarkullimin rrugor (nga 1 janari 2026)

Digjitalizimi i regjistrimit të automjeteve: Certifikatat evropiane të përputhshmërisë (eCoC) do të merren drejtpërdrejt nga databaza evropiane dhe të dhënat e automjeteve do të jenë të disponueshme në mënyrë elektronike për autoritetet dhe industrinë automobilistike.

Lejet e qarkullimit dhe targat do të lëshohen vetëm nëse janë paguar plotësisht sanksionet e mundshme për CO₂ ose nëse automjeti është pjesë e një flote automjetesh të reja.

Sistemet e asistencës së drejtimit: Në autostrada do të lejohen sisteme që mund të marrin përkohësisht kontrollin e drejtimit, por shoferët duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të ndërhyjnë. Aktualisht ende nuk ka sisteme të aprovuara.

Parkimi i automatizuar: Në parkingje të caktuara dhe të sinjalizuara, parkimi automatik pa praninë e shoferit do të lejohet.

• Nga 1 korriku 2026

Automjetet mbi 2.5 tonë në transportin rrugor ndërkufitar do t’i nënshtrohen rregullores për orarin e punës dhe pushimit (ARV 1), nëse koha e vozitjes përbën më shumë se gjysmën e orarit të punës. Për transportin brenda vendit nuk ka ndryshime.

• Shëndetësia & sigurimi shëndetësor

Rritje e primeve të sigurimit shëndetësor: Mesatarisht rreth 4.4%, me dallime të mëdha kantonale. Primi mesatar mujor do të jetë rreth 393 franga.

Në disa kantone si Ticino, rritja kalon 7%, ndërsa në Zug pritet ulje për shkak të subvencioneve kantonale.

Disa vaksina (si kundër difterisë, tetanosit dhe meningjitit) do të përjashtohen nga pagesa e franshizës.

• Të ardhurat, AHV & sigurimet shoqërore

Renta e 13-të e AHV-së do të paguhet për herë të parë në dhjetor 2026, si pagesë shtesë krahas pensionit të rregullt.

Kontributet e papaguara në shtyllën 3a do të mund të paguhen në mënyrë retroaktive. Kjo vlen për herë të parë në vitin tatimor 2026, për vitin 2025.

• Kodi Penal

Stalking (ndjekja/kërcënimi i vazhdueshëm) do të bëhet vepër penale e veçantë nga 1 janari 2026.
Dënimi: deri në 3 vjet burg ose gjobë.
Procedimi penal do të bëhet me kërkesë të viktimës dhe synon mbrojtjen më të mirë të lirisë personale.

• Tema të tjera shoqërore

Hyn në fuqi ligji për përpunimin e të dhënave të pasagjerëve ajrorë, për luftimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda.

Deri në fund të vitit 2026 planifikohet futja e e-ID-së vullnetare me çip, e cila do të jetë falas dhe do të lehtësojë shërbimet digjitale (si porositja e patentës elektronike ose verifikimi i moshës). Megjithatë, financimi i projektit ende nuk është i siguruar.

Detyrimi për mbrojtjen civile (Zivilschutz) do të zgjatet deri në moshën 40 vjeç, duke u hequr kufiri i mëparshëm prej 36 vjetësh.

Më 1 janar 2026, qyteti Moutier me rreth 7’500 banorë kalon zyrtarisht nga kantoni i Bernës në kantonin Jura, pas referendumit të vitit 2021.
/20minuten