Rregulla të reja në Zvicër nga nëntori: Çfarë ndryshon?
Nga muaji nëntor, në Zvicër do të hyjnë në fuqi disa masa të reja që prekin fushat e migracionit, punësimit dhe financave. Ja një përmbledhje e ndryshimeve më të rëndësishme:
Zgjatje e periudhës për kompensimin e punës me orar të shkurtuar
Për shkak të situatës së brishtë ekonomike, Këshilli Federal ka vendosur të zgjasë edhe një herë afatin për përfitimin nga kompensimi për punë me kohë të pjesshme. Duke filluar nga 1 nëntori, punëtorët do të mund të përfitojnë deri në 24 muaj mbështetje financiare. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj vështirësive që po përjeton industria, e cila është goditur nga ngadalësimi ekonomik dhe tarifat tregtare nga SHBA. Pas përfundimit të kësaj periudhe, do të ketë një pauzë prej gjashtë muajsh përpara se të mund të kërkohet sërish ndihma. Ky rregull do të jetë në fuqi deri në vitin 2028.
Statusi S për refugjatët: Rregulla të reja
Nga 1 nëntori, për refugjatët nga Ukraina që kërkojnë statusin e mbrojtjes S, do të merret parasysh rajoni i origjinës për të vendosur nëse ata kualifikohen. Nëse kthimi në atë zonë konsiderohet i sigurt, aplikimi mund të refuzohet. Gjithashtu, personat me këtë status do të kenë të drejtë të udhëtojnë në vendin e tyre vetëm për 15 ditë çdo gjashtë muaj – më parë kjo leje ishte çdo tre muaj. Ndërkohë, refugjatët e tjerë nuk do të kenë më mundësi të udhëtojnë jashtë Zvicrës.
Ulen tarifat për përdorimin e kartave Visa
Një marrëveshje e re mes Komisionit të Konkurrencës dhe kompanisë Visa do të sjellë ulje të tarifave të transaksioneve. Nga 1 nëntori, tarifa e shkëmbimit që i paguhet bankës së kartëmbajtësit do të kufizohet në 0.15% për blerjet në dyqane dhe 0.25% për blerjet online. Përveç kësaj, do të aplikohet një tarifë bazë që varion nga 0.12% deri në 0.2%, por që nuk mund të kalojë 36 cent për pagesat mbi 300 franga.
Biometria për udhëtarët jashtë zonës Shengen
Nga 17 nëntori, Aeroporti i Cyrihut do të zbatojë sistemin e ri të hyrjes në zonën Shengen, i cili tashmë është aktiv në Bazel dhe Gjenevë. Të gjithë udhëtarët që vijnë nga vende jashtë Shengenit do të duhet të japin gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohen. Ky proces do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportës dhe synon të ndihmojë autoritetet në identifikimin e atyre që qëndrojnë më gjatë se sa lejohet.
Faturat QR me adresë të strukturuar
Nga 21 nëntori, të gjitha faturat QR në Zvicër duhet të përmbajnë një adresë të ndarë në elementë të veçantë sipas formatit të adresës S. Nëse kjo strukturë nuk respektohet, pagesat nuk do të mund të realizohen. Ky ndryshim prek si bizneset ashtu edhe individët që përdorin këtë formë pagese. Për më tepër, është zgjeruar edhe grupi i karaktereve të mbështetura, duke përfshirë më mirë shkronjat speciale dhe umlautët.
Dy referendume të rëndësishme më 30 nëntor
Në fund të muajit, qytetarët zviceranë do të votojnë për dy iniciativa të rëndësishme:
Iniciativa “Për një Zvicër të Angazhuar” propozon shërbimin e detyrueshëm qytetar për të gjithë, përfshirë edhe gratë dhe Iniciativa “Për një Politikë të Klimës Sociale” kërkon vendosjen e një takse federale mbi trashëgimitë dhe dhuratat që kalojnë shumën prej 50 milionë frangash, me një normë tatimore prej 50%. /Shtegu