Një 39-vjeçar shqiptar është ndaluar nga Policia Federale Gjermane në pikën kufitare të Weil am Rhein, pasi tentoi të hynte në Gjermani me një patentë shoferi të falsifikuar.
Udhëtimi i tij përfundoi menjëherë me sekuestrimin e dokumentit dhe kthimin e tij mbrapsht në Zvicër.
Ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes, kur policia kufitare ndaloi për kontroll një automjet me targa të Shqipërisë që po vinte nga territori zviceran. Gjatë verifikimit të dokumenteve, shoferi paraqiti pasaportën e tij dhe një patentë drejtimi greke, në të cilën zyrtarët zbuluan shpejt shenja të qarta falsifikimi.
Përveç dokumentit të falsifikuar, verifikimet zbuluan se 39-vjeçari kishte tejkaluar edhe periudhën e lejuar të qëndrimit në zonën Schengen. Ndaj tij u ngritën menjëherë procedura penale për shkelje të Ligjit të Qëndrimit, falsifikim dokumentesh si dhe drejtim të automjetit pa leje përkatëse.
Pas përfundimit të procedurave zyrtare dhe konfiskimit të patentës, autoritetet gjermane ia mohuan hyrjen në shtet dhe e kthyen atë mbrapsht për në Zvicër. /Urgjent.com/