Info e rëndësishme në Gjermani që prek drejpërdrejt Mërgimtarët, Prej vitit 2027…
Gjermani, nga 2027 rriten pagesat për barna dhe shërbime shëndetësore
Gjermania po ndryshon disa prej rregullave të sigurimit shëndetësor ligjor, me synimin që të frenojë rritjen e shpenzimeve dhe të stabilizojë kontributet që paguajnë të siguruarit.
Reforma prek drejtpërdrejt pacientët, pasi parashihen bashkëpagesa më të larta për barna dhe shërbime të caktuara, ndryshime te sigurimi familjar dhe rregulla të reja për pushimin mjekësor. Disa masa kanë hyrë tashmë në fuqi, ndërsa ndryshime të tjera do të zbatohen gjatë viteve 2027 dhe 2028.
Një nga ndryshimet më të prekshme lidhet me shumën që pacientët duhet ta paguajnë vetë. Bashkëpagesat ligjore parashihet të rriten me 50 për qind për një sërë shërbimesh, përfshirë barnat me recetë, qëndrimin në spital, pajisjet dhe ndihmat mjekësore, transportin për arsye shëndetësore dhe disa shërbime rehabilitimi. Për barnat me recetë, pagesa minimale rritet nga 5 në 7.50 euro, ndërsa maksimumi nga 10 në 15 euro. Edhe kufiri mujor për disa pajisje mjekësore të konsumueshme rritet nga 10 në 15 euro.
Megjithatë, rregullat që mbrojnë personat me shpenzime të larta shëndetësore mbeten në fuqi. Për personat me sëmundje kronike, shpenzimet nga bashkëpagesat vazhdojnë të kufizohen në një për qind të të ardhurave bruto vjetore të familjes, ndërsa për të tjerët kufiri mbetet dy për qind.
Ndryshime do të ketë edhe te trajtimet dentare. Subvencioni fiks që sigurimet shëndetësore paguajnë për protezat dentare do të ulet me 10 pikë përqindjeje, duke e kthyer mbështetjen në nivelin që ishte para vitit 2020. Në të njëjtën kohë, industria farmaceutike dhe farmacitë do të detyrohen të japin zbritje më të mëdha për barnat që financohen nga sigurimi shëndetësor ligjor.
Një tjetër ndryshim me interes për punëtorët pritet nga 1 janari 2028, kur parashihet të hyjë në përdorim pushimi i pjesshëm mjekësor. Kjo do t’i mundësojë një personi me sëmundje më të gjatë të konsiderohet pjesërisht i aftë për punë dhe pjesërisht në pushim mjekësor. Mjeku mund ta përcaktojë aftësinë për punë në nivelin 25, 50 ose 75 për qind. Punëdhënësi, megjithatë, do të ketë mundësi ta refuzojë këtë formë, me ç’rast do të vazhdojnë të zbatohen rregullat e zakonshme për pushimin mjekësor.
Reforma prek edhe mënyrën se si llogariten kontributet. Nga 1 janari 2027, kufiri maksimal i të ardhurave mbi të cilat paguhen kontributet e sigurimit shëndetësor do të rritet me 300 euro shtesë, përveç rritjes së zakonshme vjetore. Kjo mund të ketë ndikim sidomos te personat me të ardhura më të larta.
Ndryshime të rëndësishme parashihen edhe për sigurimin familjar falas. Nga viti 2028, bashkëshortët ose partnerët e regjistruar do të vazhdojnë të jenë të bashkësiguruar pa pagesë shtesë nëse kujdesen për fëmijë deri në moshën 12-vjeçare. Përjashtime parashihen edhe për persona me shkallë të lartë të nevojës për përkujdesje, persona me pension të plotë invaliditeti dhe disa përfitues të mbështetjes bazë. Për partnerët e tjerë të bashkësiguruar parashihet një kontribut shtesë prej 2.5 për qind të të ardhurave të partnerit që punon.
Edhe psikoterapia preket nga reforma. Në të ardhmen pritet të vendoset një kufi për numrin e shërbimeve që mbulohen nga sigurimi shëndetësor ligjor. Megjithatë, trajtimet që tashmë kanë filluar do të vazhdojnë të financohen deri në përfundimin e tyre sipas rregullave ekzistuese.
Ndikimi konkret do të varet nga lloji i sigurimit, të ardhurat, gjendja familjare dhe shërbimet shëndetësore që përdorin. Reforma nuk hyn e gjitha në fuqi në të njëjtën kohë, prandaj disa ndryshime do të ndihen gjatë vitit 2027, ndërsa të tjera vetëm nga viti 2028. /Urgjent.com/