Një infermiere në Kanada ka përfunduar nën hetim pasi një pacient e akuzoi se i kishte kërkuar marrëdhënie intime gjatë një kontrolli shëndetësor, duke i thënë se ato do t’i bënin mirë për shëndetin.
Bëhet fjalë për infermieren Lori Chern, nga qyteti Kamloops në provincën e Kolumbisë Britanike, ndaj së cilës autoritetet kanë vendosur kufizime të përkohshme në ushtrimin e profesionit.
Sipas ankesës së pacientit, gjithçka kishte nisur gjatë një kontrolli mjekësor në ambientet ku infermierja ushtronte aktivitetin e saj privat.
Derisa po ia maste tensionin e gjakut, infermierja dyshohet se kishte filluar t’ia përkëdhelte krahun, ndërsa më pas e kishte komplimentuar për pamjen fizike dhe gjendjen shëndetësore.
Ajo dyshohet se i kishte thënë pacientit se kishte shëndetin e një 18-vjeçari, përpara se biseda të merrte një drejtim krejtësisht tjetër.
Sipas ankesës, infermierja e kishte pyetur burrin për jetën e tij seksuale, duke i thënë se marrëdhëniet intime janë të rëndësishme për shëndetin e meshkujve.
Por nuk ishte ndalur me kaq. Pacienti thotë se infermierja i kishte propozuar të kryenin marrëdhënie intime së bashku.
Burri e kishte refuzuar propozimin, por sipas tij, infermierja i kishte thënë se mund ta telefononte ose t’i shkruante edhe jashtë orarit të punës, nëse dëshironte të takoheshin për marrëdhënie intime.
Pas kësaj, pacienti kishte paraqitur ankesë pranë Kolegjit të Infermierëve dhe Mamive të Kolumbisë Britanike, duke dorëzuar edhe fotografi të mesazheve që, sipas tij, kishte shkëmbyer me infermieren.
Ankesa është pranuar më 6 gusht 2026, ndërsa më 4 nëntor autoriteti përgjegjës ka vendosur kufizime të përkohshme ndaj infermieres, për shkak të natyrës serioze të akuzave.
Sipas vendimit, Lori Chern nuk mund të ofrojë më shërbime në praktikën e saj private, por i lejohet të vazhdojë punën në dy spitale, në Clearwater dhe Princeton.
Nga ana tjetër, infermierja i ka mohuar akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale.
Autoritetet kanë sqaruar se pretendimet e pacientit ende nuk janë vërtetuar dhe se masat e vendosura kanë karakter të përkohshëm, deri në përfundimin e hetimeve.