Humb jetën në Aksident tragjik me veturë Mërgimtari Shqiptar! La pas vetes 2 fëmijë…
Humb jetën në një aksident në Greqi 45 vjeçari nga Lezha Kastriot Matrizi.
Është ndarë nga jeta në Greqi pas një aksidenti 45 vjeçari nga Lezha Kastriot Matrizi.
Lajmi është bërë i ditur nga Komuniteti Shqiptar i Rethimnos në Greqi.
Mediat greke kanë publikuar pamjet nga vendi i ndodhjes së aksidentit me pasoja fatale për të riun lezhjan.
Kastriot Matrizi jetoi rreth 30 vite në Kretë dhe ishte një aktivist dhe mbështetës i shumë bashkëkombasve të tij.
Deklarata e plotë e Komunitetit Shqiptar të Rethimnos:
“Sot zemrat u rënduan nga një lajm që nuk duhej të vinte kurrë.
U nda nga jeta tragjikisht miku, shoku dhe vëllai ynë Kastriot Matrizi,nga Lezha në moshen 45 vjecare (25.12.1980 – 21.03.2026 )
Një njeri i mirë, një shpirt i madh, një baba i përkushtuar i dy fëmijëve, një mik që dinte të jepte vetëm mirësi.
Ironia më e dhimbshme e fatit është se vetëm dje ai përcolli djalin e tij për të shërbyer në ushtri, me krenari dhe dashuri prindërore,
ndërsa sot familja, miqtë dhe gjithë komuniteti, ne shokët e tij japim këtë lajm të kobshëm.
Kastrioti jetoi dhe punoi për mbi 30 vite në Kretë, duke u bërë jo vetëm një emigrant i ndershëm, por një nga zërat dhe aktivistët të përkushtuar të komunitetit shqiptar në Rethimno.
Ai ishte gjithmonë aty ku kishte nevojë për ndihmë, aty ku duhej një fjalë e mirë, një dorë që zgjatet, një zemër që kupton.
Largimi i tij i parakohshëm në një aksident automobilistik në Rethimno ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e të gjithëve që e njohën.
Sot nuk qajmë vetëm për një mik të humbur, por për një njeri që ishte bërë pjesë e jetës sonë, pjesë e historisë së komunitetit tonë.
Fjalët duken të vogla për të përshkruar dhimbjen e madhe që ndjejmë.
Por një gjë është e sigurt: kujtimi i tij, buzëqeshja e tij dhe zemra e tij e madhe do të jetojnë gjithmonë mes nesh.
U prehsh në paqe, Kastriot Matrizi !
Forcë e kurajo familjes tënde për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve,të afermve dhe gjithë komunitetit shqiptar .
Sot ne gjithë jemi më të pikëlluar se kurr, por më të pasur që patëm fatin të të njohim një shok e mik të mirë si Kastrioti.
Lamtumirë mik. Udha e mbarë në rrugëtimin e perjetësisë. Nuk do të harrohesh kurrë,o mik ,shok e vëlla. Dhimbja për humbjen tënde ka peshën e një mali”.
Për ndarjen nga jeta të Kastriot Gjok Matrizit kanë shpërndarë mesazhe ngushëlluese në faqet sociale Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, shumë miq dhe familjarë të Kastriot Matrizit.
U prehsh në paqe!