E gjendur nën presionin e dyfishtë të mungesës akute të krahut të punës dhe zbrazjes së arkave të pensioneve, Zvicra po hedh hapa konkretë për të mbajtur punonjësit në zyrë sa më gjatë të jetë e mundur.
Aktualisht, burrat zviceranë e mbyllin karrierën në moshën 65-vjeçare, ndërsa për gratë kjo moshë është fiksuar në 64 vjeç që prej vitit 1997. Para kësaj periudhe, pragu ishte edhe më i ulët – vetëm 62 vjeç. Kjo ndihmon në shpjegimin se pse skema shtetërore e pensioneve (AHV / AVS) po lëngon në deficit që nga viti 2014.
Megjithatë, epoka e pabarazisë po merr fund. Nga viti 2025 deri në 2028, Zvicra do të rrisë gradualisht moshën e daljes në pension për gratë deri në 65 vjeç, duke e barazuar me burrat. Ky lëvizje synon të injektojë oksigjen financiar në sistemin e vjetëruar të pensioneve.
Por kjo nuk mjafton. Për të mbushur boshllëqet në tregun e punës dhe për të pasuruar arkën e shtetit, ligjvënësit po kërkojnë mënyra për ta bërë punën pas moshës ligjore një ofertë që nuk mund të refuzohet.
Si synohet të arrihet kjo?
Këshilli i Shteteve sapo ka miratuar një mocion që i kërkon Këshillit Federal të rrisë ndjeshëm bonuset financiare për ata që zgjedhin të shtyjnë pensionimin. Sot, ligji u lejon atyre që punojnë deri në moshën 70-vjeçare të përfitojnë rritje të konsiderueshme në dy shtyllat e para të pensionit. Duke qenë se nuk ka një tavan ligjor për fitimet pas moshës 65-vjeçare, deputetët duan që ky përfitim të bëhet edhe më joshës.
Në anën tjetër, “shkopi” vjen bashkë me “karrotën”. Për të dekurajuar largimin e parakohshëm nga tregu i punës, synohet rritja e penalitetit aktual prej 6.8% në vit për ata që dalin në pension para kohe. Qëllimi është i qartë: njerëzit duhet të qëndrojnë aktivë, raporton thelocal.
Këto ndryshime do të ecin paralelisht me një tjetër vendim të rëndësishëm: rritjen e limitit të fitimeve të përjashtuara nga taksat (AVS/AHV) për pensionistët aktivë, nga 16,800 në 21,800 franga në vit.
Masat e tjera në horizont
Ndonëse Komiteti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetit po nxit zbatimin e shpejtë të këtyre propozimeve, ai nënvizoi se reforma e ardhshme nuk synon thjesht mbijetesën financiare, por krijimin e një klime ku puna pas moshës 65-vjeçare të jetë një zgjedhje fitimprurëse. Strategjia është e thjeshtë: mosha zyrtare nuk rritet më tej, por stimujt për të mos u larguar nga puna bëhen të paprecedentë.