Selvije Jao Kasapi, gruaja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së tij të papritur.
Përmes një postimi tejet prekës në rrjetet sociale, ajo ka ndarë dhimbjen e saj të thellë, duke postuar një foto të Shpatit duke përqafuar djalin e tyre, Roelin.
Ajo thekson humbjen e madhe, duke shkruar si me poshte, lexoni:
“Ndërrove jetë në krahët e mi, o jetë… Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentat në Itali, që të mund ta gëzonim sa më shpejt tek logopedët më të mirë. Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar… dhe askush nuk e di!”
“E le Roelin jetim o Shpat… Në kohën kur më së shumti kishte nevojë për ty. Në kohën kur duart e tua i duheshin më shumë se kurrë. Si t’ia shpjegoj Roelit, që babi nuk është më?”
Postimi përmbyllet me një premtim të dhimbshëm dhe një lutje për bashkim të përjetshëm:
“Më thoje gjithmonë se do të më doje deri sa vdekja të na ndante… por pse u ndave nga jeta në krahët e mi, pse ma këpute zemrën kështu, o jetë? Inshallah takohemi në Xhenet…”
Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare. Sipas mediave këngëtari ka pësuar arrest kardiak teksa ndodhej në Itali me ish- bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël, për një kontroll mjekësor për këtë të fundit.
Në një intervistë për mediat vëllai i këngëtarit ka deklaruar se Shpati ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze. Në gjendje të rënduar nga lajmi, ai citohet të ketë thënë se ky lajm që u erdhi nga Italia shpresonte të mos ishte i vërtetë, por për fat të keq vdekja e tij u konfirmua.