Pothuajse shtatë vjet pas një gare të paligjshme makinash në Moers të Gjermanisë, e cila përfundoi me një aksident fatal, drejtësia ka marrë një kthesë përfundimtare për autorin.
Gjykata e Lartë Administrative e Münsterit ka hedhur poshtë ankesën e 28-vjeçarit kosovar, Kushtrim H., duke i hapur rrugë dëbimit të tij të menjëhershëm drejt Kosovës. Vendimi i gjykatës është i formës së prerë dhe i pakthyeshëm.
Tragjedia ndodhi natën e Pashkëve të vitit 2019, kur Kushtrim H. dhe një person tjetër po bënin gara me makina të fuqishme në një zonë banimi. Ai arriti një shpejtësi marramendëse prej mbi 160 km/h brenda pak sekondash, duke lëvizur në korsinë e kundërt, ku u përplas dhunshëm me mjetin e Sema S., 43 vjeçe. Nëna e dy fëmijëve nuk pati asnjë shans mbijetese dhe ndërroi jetë në spital, ndërsa kosovari iku nga vendi i ngjarjes për t’u dorëzuar vetëm pas një jave.
Ajo që pasoi ishte një maratonë e gjatë ligjore. Fillimisht, ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje, por Gjykata Federale e rrëzoi vendimin për mungesë të qëllimit të pastër për të vrarë. Pas disa rigjykimeve, Gjykata Rajonale e Duisburgut e dënoi atë përfundimisht me pesë vjet burgim për pjesëmarrje në garë të paligjshme me pasojë vdekjen dhe “qëllim për të rrezikuar”.
Paralelisht me procesin penal, autoritetet e qytetit të Duisburgut refuzuan t’i zgjasnin lejen e qëndrimit dhe nisën procedurat e dëbimit. Edhe pse i dënuari tentoi t’i bllokonte këto masa përmes apeleve në Dyseldorf dhe Münster, gjykatat gjermane vlerësuan se ai paraqet rrezik të vazhdueshëm për sigurinë publike dhe se mbajtja e tij e mëtejshme në burgjet gjermane përbën një kosto të panevojshme, duke urdhëruar largimin e tij të menjëhershëm nga vendi. /Urgjent.com/