I hapur çdo ditë për drekë dhe darkë gjatë gjithë vitit, “Feedy’s” në Regensdorf sjell në një pjatë të vetme shijen e vërtetë të kuzhinës shqiptare dhe asaj zvicerane, të përgatitura me mjeshtëri nga ekipi i kuzhinierëve.
Një staf i përkushtuar dhe profesional, si në kuzhinë, ashtu edhe në shërbim, premton një përvojë të paharrueshme gastronomike. Këtë e konfirmon për albinfo.ch pronari i ri, Fidan Cikaj, i cili vjen nga Hasi i Kosovës. Emrin “Feedy’s” restoranti e mori nga pseudonimi i vetë Fidanit – një ëndërr që Pronari e shndërroi në realitet kur ishte vetëm 26 vjeç. Pasioni për gatim e ka shoqëruar që fëmijë.
Një traditë që zgjat shumë vjet
Familja Cikaj nga Hasi ka mbi dy dekada që merret me gastronominë në Zvicër. Në Olten, babai i Fidanit, Gëzim Cikaj, drejtonte për 17 vjet një furrë buke që furnizonte me bukë tradicionale kosovare më shumë se 200 dyqane në gjysmën e Zvicrës. Paralelisht, familja kishte edhe një qebaptore të vogël në të njëjtin qytet. Pas 17 vitesh sukses, vendosën të zhvendosen në Regensdorf afër Cyrihut dhe të hapin restorantin e tyre të madh – “Feedy’s”.
“Feedy’s” është një biznes 100% familjar, ku punon e gjithë familja Cikaj, por kur ka nevojë punësojnë deri në 10 persona të tjerë.
Çdo ditë të javës restorantin e vizitojnë qindra shqiptarë dhe zviceranë, ndërsa gjatë fundjavave numri kalon 1.000 persona. Sipas Fidanit, salla ka kapacitet për të shërbyer njëkohësisht 120 mysafirë.
Si u dashuruan zviceranët me pasulin dhe qebapat
Për t’u përshtatur me zonën industriale ku ndodhet restoranti, gjatë drekës ekipi ofron një menu të kombinuar shqiptaro-zvicerane. Rezultati? Zviceranët fillimisht vijnë me kolegët shqiptarë, shohin çfarë hanë ata, provojnë groshët, qebapat, byrekun… dhe herën tjetër kthehen vetë për një “Bohnensuppe” – siç e quajnë ata pasulin me fasule.
« Vijnë bashkë me shokët shqiptarë, shikojnë, provojnë, dhe pastaj e lënë menynë e zakonshme ditore për një pjatë pasul apo byrek të mirë », rrëfen me buzëqeshje Fidan Cikaj.
« Mikpritja shqiptare, pastërtia dhe cilësia e lartë e ushqimit janë arsyet pse numri i klientëve rritet çdo ditë », thotë ai i bindur. Përveç shërbimit të përditshëm, “Feedy’s” është i specializuar edhe për catering në dasma, ahengje familjare dhe evente të ndryshme.
Në “Feedy’s” shpesh ndalen edhe emrat e mëdhenj të estradës shqiptare kur janë në Zvicër.