Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot, ku në fokus të diskutimeve do të jetë edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas informacioneve, në takim pritet të diskutohen dhe të propozohen emra të mundshëm për postin e Presidentit, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një kandidat që mund të marrë mbështetje politike.
Burime të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se Kurti tashmë ka në konsideratë dy emra për President, të cilët janë jashtë sferës së drejtpërdrejtë politike.
Bëhet fjalë për dy figura të njohura, ku njëri prej emrave vjen nga bota diplomatike, ndërsa kandidati tjetër nga bota akademike.
Mbetet të shihet nëse këta emra do t’i propozohen Abdixhikut gjatë takimit të sotëm dhe nëse palët do të mund të afrojnë qëndrimet për një kandidat të përbashkët.
Takimi Kurti–Abdixhiku mund të jetë vendimtar për zhvillimet e ardhshme politike dhe për përcaktimin e emrit që do të synojë postin e Presidentit të Kosovës.