Çështja e xhamisë së re në rrugën për Dumnicë të Podujevës ka marrë vëmendjen e mediave, pas akuzave publike për mosmbajtje të premtimeve nga drejtuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë.
Rasti, i cili ka nxitur reagime dhe protesta të vazhdueshme, lidhet me emërimin e imamit në xhaminë e ndërtuar në parcelën e dhuruar nga familja Stublla.
Sipas pretendimeve të bëra publike, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame kishin premtuar se imam i kësaj xhamie do të emërohej hoxha për të cilin kishte kërkuar familja dhuruese, por ky premtim nuk është realizuar.
Lidhur me këtë çështje, Rafet Hyseni ka reaguar publikisht, duke deklaruar se kishte qenë personalisht i pranishëm në takimin mes vëllezërve Shaip dhe Besim Stublla dhe drejtuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë.
Sipas Hysenit, në atë takim, para se parcela të kalonte në pronësi të KBI-së, ata ishin pritur nga kryetari, Mensur Hoti, kryeimami Bekim Jashari dhe anëtari i KBI-së, Muharrem Bryma.
Ai pretendon se gjatë takimit ishte diskutuar dhe ishte dhënë premtimi për emërimin e imamit, i cili, sipas tij, nuk është respektuar nga drejtuesit e institucionit.
Pakënaqësitë kanë sjellë edhe protesta para zyrave të Bashkësisë Islame në Podujevë. Protesta ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, e premte, 23 tetor, me qytetarë që kërkojnë respektimin e marrëveshjes së pretenduar.
Ndërkohë, në publik janë rikthyer edhe pamje nga viti 2022, kur ishte vendosur gurthemeli i xhamisë, ku shihet edhe hoxha për të cilin pretendohet se ishte premtuar emërimi si imam.
Kjo situatë ka bërë që emri i Llapit të përmendet në media në kontekstin e akuzave për mashtrim dhe mosrespektim të marrëveshjeve nga drejtuesit lokalë të Bashkësisë Islame.