Vendim i gjykatës gjermane: Muslimaneja me shami nuk mund të jetë gjyqtare në Hessen
Gjykata Administrative e Darmstadtit ka rrëzuar padinë e një juristeje muslimane, e cila nuk u pranua në shërbimin gjyqësor të landit Hessen, pasi ajo refuzoi të heqë shaminë gjatë punës në sallën e gjyqit. Sipas njoftimit të gjykatës, kandidatja kishte deklaruar qartë se, edhe si gjyqtare, nuk do të ishte e gatshme të hiqte shaminë as gjatë seancave gojore.
Ministria e Drejtësisë së Hessenit e kishte refuzuar aplikimin e saj duke argumentuar se mbajtja e veshjeve me simbolikë fetare në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët cenon parimin e neutralitetit fetar të shtetit. Gjykata e mbështeti këtë argument, duke theksuar se detyrimi për neutralitet është veçanërisht i rëndësishëm në sallën e gjyqit dhe se në këtë rast ai ka peshë më të madhe se e drejta e paditëses për liri fetare.
Gjykata sqaroi se kufizimi lidhet vetëm me heqjen e shamisë gjatë udhëheqjes së seancave, dhe jo me një ndalim të përgjithshëm të saj. Kundër vendimit mbetet e mundur paraqitja e ankesës. Juristja e konsideron mbulimin e kokës si detyrim fetar në hapësira publike.
Deutsche Welle kujton se një vendim i vitit 2017 nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë kishte konfirmuar vlefshmërinë e rregullit që ndalon praktikantet juridike në Hessen të mbajnë shami gjatë seancave gjyqësore, me arsyetimin se çdo pjesëmarrës në proces ka të drejtë të mos përballet me bindje fetare apo ideologjike nga autoriteti gjyqësor.
Gjermania, ndryshe nga Franca, nuk ka një rregull unik për mbajtjen e hixhabit në shërbimet publike.
Në Baden-Württemberg, mësueseve u ndalohet mbajtja e hixhabit, megjithatë disa nga këto ndalime janë rrëzuar nga gjykatat. Në Hamburg është e ndaluar mbulimi i plotë i fytyrës me nikab apo burka në shkolla, ndërsa pjesëtaret e forcave të armatosura nuk lejohen të mbulojnë fytyrën gjatë shërbimit.