Dy ish-banorë të Big Brother VIP Kosova janë ribashkuar jashtë shtëpisë, duke lënë pas rivalitetet e lojës dhe duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut. Bëhet fjalë për Lim Hoti dhe Edi Kuci, të cilët janë shfaqur së bashku në Tiranë, në shtëpinë e Limit.
Takimi ka ngjallur interes të madh për shkak të një detaji të njohur për ndjekësit e formatit: të dy kanë pasur një histori romantike me të njëjtën banore, Dolce.
Edi dhe Dolçe nisën një romancë në fillim të edicionit, e cila u ndërpre pas eksperiencës së saj të shkurtër në “Grande Fratello”. Më pas, pas largimit të Edit, Limi hyri në shtëpi dhe krijoi një raport intim me Dolçen.
Tashmë që të dy djemtë janë jashtë garës, duket se rivaliteti ka mbetur në të shkuarën. Pamjet e tyre duke qeshur dhe kaluar kohë së bashku në Tiranë sugjerojnë se jashtë kamerave kanë gjetur gjuhën e përbashkët, pavarësisht dinamikave të ndërlikuara që i lidhën brenda shtëpisë. Nëse ky ribashkim është thjesht miqësor apo shenjë e një kapitulli të ri, mbetet për t’u parë.
