Dy emra të shquar të mjekësisë shqiptare po shkëlqejnë në Gjermani:
Bedri Ramadani dhe Egzon Mehmeti kanë fituar respektin e komunitetit mjekësor për aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në kirurgji. Të dy janë pjesë e stafit të një spitali gjerman, ku spikasin për formimin e tyre akademik dhe përvojën e pasur në operacione të ndërlikuara.
Një fotografi e tyre e bërë në ambientet spitalore, me uniformat e gjelbra të kirurgëve, pasqyron përkushtimin e tyre ndaj profesionit dhe kujdesin që tregojnë për pacientët.
Dr. Bedri Ramadani, kardiokirurg me mbi dy dekada e gjysmë përvojë, ka realizuar me sukses mijëra ndërhyrje në zemër, përfshirë qindra transplantime.
Ai punon në Universitätsklinikum Düsseldorf, një institucion i njohur për arritjet në kirurgjinë kardiake. Ramadani ka përfunduar specializimet e avancuara në Gjermani me rezultate të shkëlqyera dhe gëzon titullin doktor.
Së bashku me Dr. Mehmeti, ata janë ndër të paktët ekspertë në teknikat minimalinvazive për trajtimin e valvulave të zemrës. Fushat ku ata veprojnë përfshijnë rekonstruksionin e valvulës mitrale, diseksionet e aortës, transplantet e zemrës, trajtimin e endokarditit bakterial dhe ndërhyrje të kombinuara me kompleksitet të lartë.
Përkushtimi dhe ekspertiza e tyre dëshmojnë se mjekët shqiptarë po japin një kontribut të çmuar në arenën ndërkombëtare të mjekësisë, duke sjellë vlera të larta profesionale në shërbim të pacientëve në Gjermani.