Një ndryshim i rëndësishëm mund t’i presë nga nesër edhe shumë qytetarë nga Kosova që udhëtojnë përmes Kroacisë dhe Sllovenisë drejt Austrisë, Gjermanisë apo vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Kontrollet e përkohshme kufitare që Austria zbaton ndaj Sllovenisë dhe Hungarisë, si dhe ndaj Republikës Çeke dhe Sllovakisë, sipas rregullores aktuale skadojnë sonte, më 15 shtator 2026, në mesnatë.
Austria i kishte zgjatur këto kontrolle në qershor edhe për tre muaj.
Në muajt e fundit, policia austriake nuk është mbështetur vetëm në kontrollet klasike në vetë pikëkalimet kufitare, por edhe në kontrolle fleksibile në zonat kufitare, autostrada dhe rrugë të rëndësishme.
Sipas informacionit aktual, deri në publikimin e njoftimit nuk ishte bërë publike një rregullore e re që do t’i vazhdonte kontrollet edhe pas 15 shtatorit.
Kjo do të thotë se, nëse Austria nuk merr vendim të ri gjatë ditës së sotme, nga 16 shtatori regjimi i përkohshëm i kontrolleve të brendshme të Shengenit në kufirin me Slloveninë nuk do të jetë më në fuqi.
Për kosovarët që udhëtojnë nga Kosova përmes Kroacisë dhe Sllovenisë drejt Austrisë, kjo mund të nënkuptojë më pak pritje në kufirin slloveno-austriak, veçanërisht në drejtim të Grazit dhe Klagenfurtit.
Megjithatë, heqja e kontrolleve të përkohshme nuk do të thotë se policia austriake nuk mund t’i ndalojë më automjetet.
Kontrolle të automjeteve dhe personave mund të vazhdojnë në zonën kufitare, në autostrada apo në akse të tjera të rëndësishme. Për këtë arsye, udhëtarët duhet të kenë me vete dokumentet e vlefshme të udhëtimit.
Sllovenia ndërkohë i kishte hequr në qershor kontrollet e përkohshme në kufijtë e saj të brendshëm të Shengenit me Kroacinë dhe Hungarinë, duke kaluar në kontrolle të synuara dhe të rastësishme në rrugët kryesore.
Por për ata që vazhdojnë nga Austria drejt Gjermanisë situata mbetet ndryshe.
Gjermania ka vazhduar kontrollet e përkohshme në kufijtë tokësorë, përfshirë kufirin me Austrinë, dhe periudha aktuale e paralajmëruar zgjat deri më 15 mars 2027. /Urgjent.com/