You dont have javascript enabled! Please enable it! Arsimtari në Maqedoni shkoi në punë gjithë vitin pa e ditur se ishte pushuar nga puna

Arsimtari në Maqedoni shkoi në punë gjithë vitin pa e ditur se ishte pushuar nga puna

​Arsimtari i artit figurativ në Manastir ka shkuar në punë gjatë gjithë vitit shkollor pa u njoftuar se ishte pushuar nga puna. Ai ka mbajtur mësim deri ditët e fundit, kur edhe ia mbyllën derën. Paraprakisht, gjatë gjithë vitit 2025 e deri më tani, ai ka mbajtur orë mësimore, ka pasur qasje në ditarin elektronik (e-ditar), ka vendosur nota, ka marrë pjesë në Këshillin e Arsimtarëve, ka nënshkruar listën e prezencës dhe ka mbajtur evidencë. Ka bërë gjithçka si kolegët e tij të punësuar rregullisht, njofton VESTIMAK.mk.

​Arsimtari i artit figurativ, Stefan Popovski nga Manastiri, ka shkuar në punë gjatë gjithë vitit shkollor në një shkollë fillore periferike të rajonit të Manastirit, pa u njoftuar se ishte pushuar nga puna që në janar të vitit të kaluar, dhe pa e ditur se nuk ishte në listën e pagave e as që nuk kishte kontratë angazhimi.

​I angazhuar në tri shkolla me qëllim të plotësimit të fondit të plotë të orëve, arsimtari as që e ka marrë me mend se ishte hequr nga lista e pagave në shkollën periferike në Gorno Orizari, e cila funksionon në kuadër të ShFK „Todor Angelevski“ – Manastir. Në këtë shkollë ai ka mbajtur nga 4 orë mësimore në javë (në klasat e gjashta dhe të teta), ka ardhur çdo ditë në punë, ka mbajtur mësim dhe është angazhuar jo vetëm në procesin mësimor, por edhe në aktivitetet shkollore, ka dërguar nxënës në gara e konkurse arti, ka fituar çmime e ka pikturuar murale. Por, për fat të keq, ai nuk e dinte se ishte fshirë nga lista e pagave të shkollës dhe nga gjithçka që i takon me Ligjin për Marrëdhënie Pune. Këtë e ka vënë re së fundmi dhe ka reaguar.

​„Ka dy muaj që kërkoj drejtësi, kërkoj paratë e mbaruara dhe stazhin tim, por marr mesazhe se nëse kjo gjë përfundon në opinion, nuk do të punoj më kurrë në arsim. Dje u dëbova përfundimisht nga puna; erdhën drejtoresha e ShFK ‘Todor Angelevski’ Manastir dhe drejtoresha e shkollës periferike dhe më ndaluan hyrjen në shkollë. Drejtësinë do ta kërkoj në gjykatë, le të vendosë gjykata e jo heshtja“, thotë Popovski në një bisedë për „Nezavisen“ duke dorëzuar edhe dokumente.
​Arsimtari i ri në vitin 2020 ka qenë i angazhuar në tri shkolla: „Goce Delçev“, „Kole Kaninski“ dhe „Todor Angelevski“. Gjithçka ka qenë e rregullt dhe me pëlqim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe komuna. Mirëpo, me ndryshimin e drejtorëve në ShFK „Todor Angelevski“ Manastir, Stefani u hoq nga lista e pagave të kuadrit arsimor pa u njoftuar fare. Shkolla tani i dorëzon një dokument për një largim të pretenduar nga puna, në të cilin ai nuk është i nënshkruar, dhe për ta bërë situatën më të dyshimtë, në dokument nuk ka as vulë të ish-drejtoreshës, por vetëm një nënshkrim. Me vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, ish-drejtoresha ka shkruar se Stefan Popovski ka qenë i angazhuar në punë deri më 29 janar 2025 dhe se kontrata e punës nuk i vazhdohet. Megjithatë, Stefani pohon se një vendim të tillë nuk e ka pranuar vitin e kaluar, po e sheh tani për herë të parë dhe prandaj nuk ka nënshkrim prej tij.

​Absurdi i ditarit elektronik dhe notave
​Për ta bërë absurditetin edhe më të madh, Stefani ka mbajtur rregullisht orët mësimore në shkollë.

​„Unë nuk e dija që isha pushuar nga puna, përkundrazi, kam vazhduar të mbaj orë, kam pasur qasje në e-ditar, kam vendosur nota, kam shkuar në Këshillin e Arsimtarëve, kam nënshkruar prezencën, kam mbajtur evidencë – gjithçka si kolegët e tjerë të punësuar rregullisht. Kam shkuar me fëmijët nëpër gara, para dy ditësh morëm një çmim me një nxënëse. Pasi kërkova të drejtat e mia, drejtoresha më ndaloi qasjen në shkollë. Tani pyes veten, jemi në fund të vitit shkollor, a janë të vlefshme apo jo për fëmijët notat që kam vendosur në gjysmëvjetor?“, pyet i riu Stefan në bisedën për „Nezavisen“.
​Stefani ka dy muaj që reagon pranë autoriteteve se diçka nuk është në rregull me pagën dhe stazhin e tij.
​„Në shkollën periferike ‘Todor Angelevski’ isha i angazhuar për një kohë të gjatë dhe shkoja në punë gjatë gjithë kohës. Paga më paguhej në përqindje mes tri shkollave ku isha i angazhuar. Në fillim të vitit shkollor mora një pasqyrë nga banka dhe pashë se më ishin paguar vetëm 16 orë mësimore në vend të 20. Konstatova se nga ‘Todor Angelevski’ kishin ndërprerë pagesën e pagës dhe stazhit. Shkova te arkëtarja dhe atëherë ajo më njoftoi se nuk ekzistoja në listën e pagave që nga 29 janari 2025, kohë kur drejtoreshë ishte Natasha Shvigir, ndërsa drejtoresha e re, Gordana Jonaçiç, nuk më ka paguar dhe më ka fshirë nga lista e të punësuarve. Unë me përgjegjësi pohoj se kam shkuar në punë si të gjithë kolegët e tjerë, për gjë që kam edhe dëshmitarë“, thotë Popovski.
​Më 28 prill ai ka dërguar një kërkesë deri te shkolla, ku thekson se që nga shtatori i vitit 2025 nuk ka marrë pagë për katër orë mësimore në javë, edhe pse ka qenë i angazhuar.

​„Për gjithçka ka prova: jam i shënuar në orarin e mësmit, në Programin Vjetor të shkollës… prandaj kërkova me shkrim të më paguhen me prapaveprim pagat për të gjithë periudhën e kaluar, shtesat e pagës dhe të më kompensohet stazhi, përndryshe do ta kërkoj të drejtën në gjykatë“, thotë Stefani.

​Në këtë kërkesë të tij, nga ShFK „Todor Angelevski“ Manastir ka marrë një përgjigje të shkurtër më 6 maj të këtij muaji, ku thuhet se shkolla ka verifikuar që më 29 janar 2025 është ndërprerë marrëdhënia e punës me një vendim të po asaj date, dhe kaq. Në deklaratën e shkollës nuk sqarohet se përse atëherë Stefani ka qenë në orarin e mësimit, përse ka qenë në Programin Vjetor, përse ka udhëhequr ditarin elektronik dhe përse ka vendosur nota.

​Stefan Popovski tashmë po ngre padi kundër shkollës, ndërsa për rastin e tij është njoftuar edhe Prokuroria Themelore Publike në Manastir.

​Kryetari i Komunës, Toni Konjanovski, thotë se gjërat duhet të lihen të ndjekin procedurat ligjore.
​„Po i ndjek me vëmendje ngjarjet me arsimtarin nga ShFK ‘Todor Angelevski’, i cili përmes mediave njoftoi për rastin e angazhimit të tij në punë. Kam dhënë urdhër inspektorit komunal të arsimit që të verifikojë thëniet e paraqitura nga arsimtari dhe nëse vërtetohet se janë të sakta dhe të vërteta, do të inicioj procedurë për shkarkimin e drejtoreshës së shkollës“, tha Konjanovski.
​Lidhur me këtë rast, „Nezavisen“ kërkoi qëndrim edhe nga drejtoresha e ShFK „Todor Angelevski“. Deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pasur asnjë përgjigje prej saj.