Arrestohet Doktori i njohur nga Çegrani, Ja çfarë ka ndodhur
Gazetari Nevrij Ademi raporton se:
Është arrestuar stomatologu S.Ç nga Gostivari dyshohet se ka ndikuar në marrjen e provimit të diplomës për një person në këmbim të parave!
Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJО GOKK) ka nxjerrë sot urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari i parë ka kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa i dyshuari i dytë dyshohet për veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Kjo procedurë hetimore është ngritur mbi bazën e provave të siguruara gjatë analizës së të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë të sekuestruar në kuadër të një procedure tjetër hetimore që OJО GOKK po zhvillon kundër një grupi të organizuar kriminal të përfshirë në importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Sipas provave të mbledhura deri më tani, në dhjetor të vitit 2025, një e dyshuar e përfshirë në hetimin lidhur me importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore, i ka dhënë një shpërblim në para të dyshuarit të parë – doktor i stomatologjisë dhe kryetar i Shoqatës Stomatologjike të Shqiptarëve – që ai, duke shfrytëzuar ndikimin e tij real ose të supozuar, pozitën zyrtare dhe shoqërore si dhe autoritetin e tij, të ndërhynte me qëllim që të kryhej një veprim zyrtar që nuk duhej të kryhej.
I dyshuari i parë ka ndërhyrë te i dyshuari i dytë – kryetar i Komisionit të Provimit për dhënien e provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë – duke kërkuar prej tij që të shfrytëzonte pozitën e tij zyrtare për t’i mundësuar të dyshuarës ta kalonte provimin profesional.
Pas përfundimit të provimit, i dyshuari i parë ia ka dërguar të dhënat e llogarisë së tij bankare, ndërsa e dyshuara ka kryer pagesën e një shume parash si shpërblim për ndërmjetësimin. Sipas provave të siguruara deri më tani, i dyshuari i parë një pjesë të shpërblimit të premtuar ia ka dorëzuar të dyshuarit të dytë.
Gjatë ditës së sotme, të dy të dyshuarit do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Prokurori publik kompetent do të propozojë caktimin e masave për sigurimin e pranisë së tyre gjatë zhvillimit të procedurës penale.