You dont have javascript enabled! Please enable it! Aksidentohet autobusi në Gjermani, dy persona humbin jetën dhe 19 të lënduar

Aksidentohet autobusi në Gjermani, dy persona humbin jetën dhe 19 të lënduar

27 shtator 2026- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pranë Mynihut, në Gjermani, ku një autobus turistik është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 19 të tjerëve.

Autobusi transportonte rreth 35 turistë, shumica prej tyre me origjinë nga Filipinet. Sipas raportimeve, grupi ishte nisur nga Milano dhe po udhëtonte drejt Mynihut për të marrë pjesë në festivalin e njohur Oktoberfest.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, pranë Fürstenfeldbruck. Për arsye që ende nuk janë përcaktuar, autobusi doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në një zonë me shkurre.

Zëdhënësi i policisë, Martin Cornils, bëri të ditur se gjashtë persona u evakuuan me helikopterë të shërbimeve të emergjencës, ndërsa dy të tjerë u transportuan me ambulanca drejt spitaleve aty pranë.

Në total, 19 persona u dërguan në spital për të marrë trajtim mjekësor. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e aksidentit dhe shkakun që çoi në humbjen e kontrollit të autobusit.

Deri tani nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera mbi shkakun e aksidentit apo gjendjen e të plagosurve.

Ngjarja vjen vetëm disa javë pas një tjetër aksidenti fatal me autobus turistik në Evropë, ku pesë persona humbën jetën pas një aksidenti në Zvicrën lindore.

/tvklan.al