Aksident i rëndë në Kroaci: Autobusi me 35 persona del nga autostrada, ka të vdekur dhe të plagosur
Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në autostradën A3 në Kroaci, në segmentin ndërmjet Ivaniq Gradit dhe Zagrebit, ku një autobus ka dalë nga rruga dhe është përmbysur jashtë karrexhatës.
Sipas informacioneve të para jozyrtare, në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy shoferë. Nga aksidenti ka persona të vdekur, si dhe të lënduar rëndë dhe lehtë. Deri më tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i viktimave.
Dëshmitarët okularë përshkruajnë skena dramatike në vendin e ngjarjes. Disa persona të lënduar kanë qëndruar të shtrirë në bar, të mbuluar me batanije, ndërsa ekipet e shpëtimit janë përpjekur t’u ofrojnë ndihmën e nevojshme. Një pjesë e të lënduarve tashmë janë transportuar në spitale.
„Duket se ka shumë të lënduar. Ata janë të shtrirë në bar, nën batanije, ndërsa disa prej tyre tashmë janë dërguar në spitale. Mbrojtësja anësore pranë korsisë së ndalimit është dëmtuar, ndërsa autobusi është dëmtuar rëndë dhe është përmbysur anash, në bar“, ka rrëfyer një dëshmitar okular.
Komandanti i shërbimeve zjarrfikëse të Qarkut të Zagrebit, Dario Kezeriq, ka konfirmuar se autobusi është përmbysur dhe se në vendngjarje janë angazhuar të gjitha shërbimet kompetente.
Në operacionin e shpëtimit marrin pjesë 15 zjarrfikës me shtatë automjete, nga tri shoqata vullnetare zjarrfikëse dhe njësi publike zjarrfikëse.
Sipas Klubit Kroat të Automobilave (HAK), aksidenti ka ndodhur në kilometrin e 61-të të autostradës A3, ndërmjet nyjeve Ivaniq Grad dhe Rugvica, në drejtim të Breganës.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi zhvillohet vetëm në njërën korsi, me kufizim të shpejtësisë në 60 kilometra në orë.
Shërbimet kompetente po hetojnë shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Priten informacione të reja zyrtare lidhur me numrin e personave të vdekur dhe të lënduar.