Në vijim ju sjellim përgjigjen e kësaj pyetjeje nga dy sesione të ndryshme pyetje-përgjigjesh, të cilat në thelb pohojnë:
Lejohet që të mbash qenin në shtëpi, sepse Kurani i Shenjtë ka parashikuar trajnimin e qenëve gjahu dhe mbajtjen e tyre qoftë për arsye sigurie.
Qeni duhet të ketë vendin e vet, jashtë asaj zone ku njerëzit banojnë, flenë, falen, etj.. Kjo tregon se nuk mund të mbani qen, nëse banoni në apartament ose nëse nuk keni një vend të veçantë për të.
Nëse keni kushte për të mbajtur qen, duhet të kujdeseni siç duhet për pastërtinë dhe ushqimin e tij.
Hazret Mirza Tahir Ahmed, Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar a.s., duke iu përgjigjur pyetjes nëse lejohet të mbash qen apo jo, thotë:
Pse jo! Sepse Kurani i Shenjtë jep mësimin se si duhet të hamë mishin e kafshës që zëmë me një qen gjahu.[1] Mbajtja e qenëve po të mos ishte e lejuar, si do të trajnonit një qen që ai t’ju shërbejë si qen gjahu?!
Ndoshta ajo që ju shqetëson mund të jetë një hadith, në qoftë se është i saktë si hadith, ku thuhet se Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e ka pëlqyer që njerëzit të mbajnë qen në shtëpitë e tyre dhe tha se në një shtëpi ku ka qen, nuk vijnë engjëjt.[2]
Por ky hadith kurrsesi nuk mund të interpretohet në një mënyrë që bie ndesh me Kuranin e Shenjtë. Prandaj, pa dyshim që njerëzit e kanë keqkuptuar atë.
Në fakt, nëse qentë nuk janë të trajnuar siç duhet dhe nëse janë lënë të lirë në shtëpi, njerëzit fisnikë do të mendojnë disa herë para se ta vizitojnë atë shtëpi, sepse askush nuk dëshiron të kafshohet nga qeni ose të hyjë në luftë me të për të shpëtuar veten.
Kjo është diçka që ndoshta është tërësisht e padëgjuar në vendet perëndimore. Sepse tani në shumicën e vendeve perëndimore, qentë trajnohen mjaftë mirë, pronarët e tyre përmbushin kërkesat ligjore para se t’i mbajnë ata. Nëse një qen kafshon dikë, pronari detyrohet të paguajë si gjobë një shumë të madhe parash. Pra, në këto vende, rrallë mund të shihni ndonjë qen duke kafshuar dikë. Prandaj, njerëzit në Perëndim ndoshta nuk mund ta kuptojnë thelbin e këtij hadithi.
Unë e di që sa problem i madh është kjo në vendet e tjera në zhvillim, ku qeni i shtëpisë ka më shumë gjasë të kafshojë vizitorin sesa të mos e kafshojë. Prandaj, njerëzit nuk vizitojnë shtëpi të tilla. Unë njoh personalisht disa familje, ku nuk i vizitoja dhe kur ata më pyetën pse nuk i vizitoj, u thashë – Së pari, rregullojeni qenin tuaj, se përndryshe nuk mund të vij dot; nuk kam qejf të më hajë qeni juaj!
Pra, aty ku qentë janë mbajtur kot dhe që janë edhe agresivë, lehin kot dhe u vërsulen mysafirëve që vijnë, sipas këtij hadithi, njerëzit e mirë që simbolizojnë engjëjt nuk vizitojnë shtëpi të tillë.
Sipas disa dijetarëve, ky hadith kuptohet edhe në një aspekt tjetër, që është aspekti shpirtëror. Disa njerëz humbin karakterin e tyre për të qenë njeri dhe bëhen qenë. Kurani i Shenjtë, për shembull, përmend një njeri që quhet Balaam biri i Beorit, të cilin e portretizon si qen me aspekte negative të tij.[3] Njerëzit e tillë janë kërcenim për paqen, dhe çdo shtëpi që ka një njeri të tillë, engjëjt nuk e vizitojnë atë. Në këtë rast, engjëjt me të dyja kuptimet e tyre. Pra, edhe njerëzit fisnikë që janë si engjëj, por edhe engjëjt e vërtetë që janë të dërguar të Zotit, nuk vizitojnë një shtëpi të tillë. …
Por, është tërësisht e palejueshme ta interpretosh këtë hadith në një mënyrë që bie ndesh me ndonjë ajet të Kuranit të Shenjtë. Për sa kohë që Kurani i Shenjtë ju lejon të mbani qen, ta trajnoni e ta përdorni për gjah, si mundet që ndonjë hadith i Profetit Muhammed s.a.v.s. të mund ta hedhë poshtë një mësim kaq të qartë të Kuranit të Shenjtë?![4]