Nga 1 nëntori ndryshojnë disa rregulla në Zvicër – ja çka duhet të dinë mërgimtarët
Nga 1 nëntori 2026, në Zvicër do të hyjnë në fuqi disa ndryshime ligjore dhe administrative që lidhen me udhëtimet ajrore, dokumentet e identifikimit dhe fusha të tjera që prekin qytetarët dhe banorët e këtij shteti.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me të dhënat e pasagjerëve ajrorë. Nga 1 nëntori hyn në fuqi ligji që mundëson përpunimin e këtyre të dhënave për luftimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda. Sipas autoriteteve zvicerane, përdorimi i sistemit pritet të fillojë në shkurt të vitit 2027.
Ndërkohë, nga 2 nëntori, shtetasit zviceranë do të kenë mundësi të aplikojnë për letërnjoftime të reja biometrike. Këto dokumente do të përmbajnë çip elektronik me fotografinë e fytyrës dhe dy gjurmë gishtërinjsh. Pajisja me këtë dokument do të jetë vullnetare.;
Ndryshime dhe afate të rëndësishme priten edhe në sektorin e sigurimeve shëndetësore. Data 30 nëntor është afati i fundit i zakonshëm për ndryshimin e kompanisë së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor për vitin 2027, ndërsa raportimet paralajmërojnë rritje të primeve të sigurimit.
Më 29 nëntor, qytetarët zviceranë do të votojnë në katër çështje federale, përfshirë financimin shtesë të pensioneve, tatimin e çifteve të martuara, kufizimin e fishekzjarrëve dhe ndryshimet në ligjin për materialet ushtarake.
Këto zhvillime janë me interes edhe për komunitetin shqiptar që jeton dhe punon në Zvicër, veçanërisht ndryshimet që lidhen me udhëtimet dhe sigurimet shëndetësore. /PodujevaSot