Një dramë e vërtetë ndodhi në një fluturim ndërkombëtar drejt aeroportit të Zagrebit, e cila përfundoi me arrestimin e një shtetasi 61-vjeçar të Maqedonisë me dyshimin për ngacmin seksual të një fëmije.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat kroate, incidenti u zbulua falë reagimit të shpejtë dhe të matur të një vajze 15-vjeçare që udhëtonte e vetme, si dhe profesionalizmit të ekuipazhit të avionit.
Mesazhi në ekranin e celularit
Gjatë fluturimit, vajza thirri diskretisht stjuardesën dhe e luti të shihte diçka në telefonin e saj celular.
Në ekran ishte shkruar një mesazh i frikshëm:
«Më është shumë frikë nga ky njeri, a mund të më ndihmoni disi?»
Për të mos shkaktuar panik dhe për të mos alarmuar burrin që ishte ulur menjëherë pranë të miturës, stjuardesa bëri sikur ishte indiferente dhe i tha vajzës se do t’i tregonte se ku ndodhej tualeti.
Në vend të kësaj, e çoi menjëherë në siguri në kabinën e pilotëve.
Në kabinën e pilotëve, vajza e frikësuar u tregoi ekuipazhit se pasagjeri i moshuar pranë saj kishte filluar ta prekte në organet gjenitale që në pistë, gjatë përgatitjes për ngritjen e avionit, duke u pretenduuar se po e ndihmonte të lidhte siç duhet rripin e sigurisë.
Pilotët njoftuan menjëherë kullën e kontrollit të aeroportit në Zagreb. Pas uljes së avionit, maqedonasi u prit nga oficerë të policisë që e çuan për bisedë.
Përfundoi në paraburgim në Remetinec
Biseda e parë shpejt u shndërrua në hetim kriminal, pas së cilës shtetasi 61-vjeçar maqedonas u dërgua në Prokurorinë e Qarkut, e pastaj u paraqit para gjyqtarit të procedurës paraprake. Iu vendos masa e paraburgimit dhe u transferua në burgun Remetinec.
Sipas mediave kroate, gjatë pyetjeve, i dyshuari hodhi poshtë akuzat për veprime të pahijshme, duke pretenduuar se nuk e kishte prekur fare vajzën, por thjesht i kishte dhënë rripin e sigurisë që ajo të lidhej vetë.
Hetimi për këtë rast është në vazhdim.