Parlamenti kantonal i Zürichut ndaloi mbajtjen e shamisë në shkollat publike
Vendimi i Parlamentit është marrë këtë të hënë dhe erdhi pas mbështetjes së një nisme nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila kërkoi ndalimin e plotë të shamisë si për mësueset, ashtu edhe për nxënëset.
Sipas kësaj partie, shamia përfaqëson “një simbol të shtypjes dhe të islamit politik”, me argumentin se “ajo nuk ka vend në institucionet publike arsimore”. Pro kësaj nisme votuan edhe liberalët (FDP) dhe parti të tjera të vogla.
Ndërsa kundër votuan socialdemokratët, të gjelbrit dhe disa parti të qendrës, duke argumentua se “kjo masë cenon lirinë e besimit fetar”.
Qeveria e kantonit të Zürichut ka sinjalizuar mbështetjen e nismës përpara votimit në parlament. Ajo ka tani dy vjet kohë për të përgatitur propozimin konkret për zbatimin e këtij ligji.
Mbajtja e shamisë në shkolla ndalohet në Zvicër edhe në katonet, si Bernë apo Gjenevë. Javën e kaluar edhe parlamenti i kantonit Aargau mori një vendim të ngjashëm.
Megjithatë, debati rreth mbajtjes së shamisë vazhdon. E të hënën Parlameti i Zürichut miratoi edhe një masë tjetër strikte për ambientet arsimore: ndalimin e plotë të përdorimit të celularëve privatë, tabletëve dhe kompjuterëve personalë në të gjitha shkollat publike të kantonit.