You dont have javascript enabled! Please enable it! Ekskluzive/ Ky është propozimi më i përfolur për President

Ekskluzive/ Ky është propozimi më i përfolur për President

Diskutimet për gjetjen e një kandidati konsensual për Presidentin e Kosovës po marrin formë konkrete, ndërsa në takimin e fundit mes krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përmendur disa emra.

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, gjatë diskutimeve është përmendur emri i Nikë Gjeloshit, si një prej figurave që mund të shqyrtohet në kuadër të kërkimit për një kandidat të pranueshëm për të dyja palët.

Ndërkohë, siç është raportuar më herët, Haki Demolli është një tjetër emër që është diskutuar si mundësi për postin e Presidentit. Demolli, ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e LDK-së, raportohet se gëzon mbështetje brenda strukturave të kësaj partie dhe respekt edhe nga pala e LVV-së.

Në anën tjetër, burimet të Gaueta Minutk bëjnë të ditur se Lumir Abdixhiku ka dy emra që mund t’i propozojë për President, ndërsa edhe Albin Kurti raportohet se ka dy alternativa të tijat, jashtë skenës aktive politike.

Kështu, në tavolinën e diskutimeve tashmë janë disa figura, përfshirë Nikë Gjeloshin dhe Haki Demollin, ndërsa palët po përpiqen të gjejnë një emër që do të mund të siguronte mbështetje të mjaftueshme politike dhe të shërbente si kandidat konsensual.

Deri tani nuk ka marrëveshje përfundimtare për një emër të vetëm. Megjithatë, fakti se të dyja partitë kanë nisur të paraqesin alternativa konkrete tregon se negociatat për Presidentin kanë hyrë në një fazë më serioze.

Pritet që diskutimet mes Kurtit dhe Abdixhikut të vazhdojnë, ndërsa ditët në vijim mund të qartësojnë se cili prej emrave të përmendur do të mbetet në garën për postin e Presidentit të Kosovës.