Një vajzë trevjeçare ka pësuar lëndime serioze pasi portat e ashensorit u hapën papritur dhe pastaj u mbyllën përsëri, ndërsa ajo udhëtonte me nënën e saj dhe fëmijë të tjerë në një ndërtesë banimi në lagjen Radishani në Shkup.
Incidenti ndodhi më 22 gusht rreth orës 18:15 dhe u raportua në polici dy ditë më vonë. Sipas denoncimit të nënës, E.Z., 30 vjeçe nga Shkupi, aksidenti ndodhi kur portat e ashensorit ndryshuan pozicionin në mënyrë të menjëhershme, duke e tërhequr vajzën lart dhe duke i shkaktuar lëndime serioze.
Pas incidentit, fëmija u ekzaminua dhe u trajtua në Institucionin Publik Shëndetësor “Shën Naum Ohridski” në Shkup, ku mjekët konstatuan lëndime të rënda trupore.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se policia po merr masa për të përcaktuar të gjitha rrethanat e incidentit dhe për të sqaruar rastin.
Ende nuk është bërë e ditur se çfarë shkaktoi hapjen dhe mbylljen e menjëhershme të portave të ashensorit, as nëse bëhet fjalë për defekt të pajisjes apo për ndonjë shkak tjetër.