Super Lajm për Familjet Shqiptare që jetojnë në Slloveni
Familjet me të paktën tre fëmijë që jetojnë në Slloveni mund të përfitojnë nga një lehtësim i veçantë gjatë blerjes së një veture, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara. Bëhet fjalë për përjashtimin ose rimbursimin e taksës së automjeteve motorike – DMV.
- rreth…
Kjo e drejtë mund të shfrytëzohet nga njëri prej prindërve një herë në tre vjet dhe vlen për familjet me të paktën tre fëmijë nën moshën 18-vjeçare.
Përfitimi nuk është subvencion për blerjen e veturës dhe as rimbursim i TVSH-së. Familja lirohet vetëm nga DMV-ja ose mund të kërkojë kthimin e saj nëse taksa është paguar paraprakisht.
Automjeti duhet të ketë të paktën pesë ulëse, përkatësisht katër ulëse përveç asaj të shoferit, ndërsa fuqia e motorit nuk duhet të jetë më e madhe se 150 kW.
Një kusht i rëndësishëm lidhet edhe me vendbanimin. Prindi që kërkon përfitimin duhet të ketë të regjistruar të njëjtën adresë të përhershme me së paku tre fëmijë që plotësojnë kriteret ligjore.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për familjet e huaja që jetojnë në Slloveni: vetëm fakti se prindi punon në këtë shtet nuk mjafton për të përfituar nga lehtësimi.
Përjashtimi mund të vlejë si për veturat e reja, ashtu edhe për ato të përdorura, nëse automjeti regjistrohet për herë të parë në Slloveni.
Shuma nuk është fikse, pasi DMV-ja ndryshon në varësi të karakteristikave të automjetit dhe emetimeve të CO₂.
Sipas të dhënave të cituara nga mediat sllovene, rimbursimi mesatar për familjet e mëdha vitet e fundit ka qenë rreth 250 euro.
Megjithatë, për modele të caktuara shuma mund të jetë dukshëm më e lartë. Si shembull, për një Škoda Kodiaq me motor bazë dizel dhe vlerë rreth 40 mijë euro, rimbursimi është përllogaritur rreth 160 euro, ndërsa për një Citroën SpaceTourer prej rreth 38 mijë eurosh mund të arrijë afërsisht 900 euro.
Lehtësimi nuk kufizohet vetëm te veturat e blera në Slloveni.
Nëse automjeti blihet në një shtet tjetër të Bashkimit Evropian, përjashtimi mund të kërkohet gjatë procedurës tatimore. Nëse DMV-ja është paguar, kërkesa për rimbursim mund të bëhet brenda tre muajve.
Rregulla të ngjashme vlejnë edhe për automjetet e importuara nga vende jashtë BE-së, përfshirë Zvicrën. Përjashtimi mund të kërkohet gjatë procedurës së importit ose, në kushte të caktuara, të kërkohet më pas kthimi i DMV-së së paguar.
Një kufizim tjetër është se automjeti për të cilin është shfrytëzuar përjashtimi, në parim, nuk mund të shitet apo dhurohet para kalimit të tre viteve pa pasoja tatimore.
Kërkesat për rimbursimin e DMV-së trajtohen nga Administrata Financiare e Republikës së Sllovenisë – FURS, ndërsa procedura mund të zhvillohet edhe përmes sistemit eDavki. /Urgjent.com/