You dont have javascript enabled! Please enable it! Dy emrat konsensualë që po diskutohen mes VV-së dhe LDK-së

Dy emrat konsensualë që po diskutohen mes VV-së dhe LDK-së

Dy emra të njohur nga jeta politike dhe publike e Kosovës janë duke u diskutuar si kandidatë të mundshëm konsensualë për President të vendit në kuadër të komunikimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Kështu ka bërë të ditur gazetari Leonard Kërçuki, i cili ka publikuar një shkrim me titullin: “Berisha apo Ramajli, kush do të bëhet President?”

Sipas Kërçukit, bëhet fjalë për Ibrahim Berishën dhe Iljaz Ramajlin, dy emra që, sipas tij, janë diskutuar edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ibrahim Berisha, 71 vjeç, është një prej figurave të hershme të LDK-së. Ai ishte anëtar i Kryesisë së parë dhe të dytë të kësaj partie, ndërsa konsiderohet edhe një prej themeluesve të LDK-së dhe të QIK-ut. Berisha kujtohet edhe si një prej gazetarëve të parë të “Rilindjes” që u distancua nga Partia Komuniste.

Në anën tjetër është Iljaz Ramajli, 75 vjeç, figurë e njohur e skenës politike të Kosovës në vitet e 90-ta. Ai ka qenë nënkryetar i Kuvendit Krahinor dhe udhëhoqi seancën e 7 shtatorit 1990 në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e Kosovës.

Ramajli gjatë viteve të 90-ta ka udhëhequr edhe Zyrën e Kosovës në Tiranë. Sipas Kërçukit, emri i tij ishte diskutuar edhe në vitin 2011 për postin e Presidentit, por ai kishte refuzuar. Pas këtij refuzimi, Presidente e Kosovës ishte zgjedhur Atifete Jahjaga.

Përveç Berishës dhe Ramajlit, në diskutimet për një kandidat të mundshëm konsensual, sipas Kërçukit, kanë qenë edhe emri i ish-ministrit Haki Demollidhe ish-Presidentit Fatmir Sejdiu.

Nëse njëri prej këtyre emrave do të marrë mbështetjen e dy partive, mbetet për t’u parë në ditët në vijim, ndërsa negociatat për një zgjidhje konsensuale për postin e Presidentit pritet të jenë një prej çështjeve kryesore të zhvillimeve politike.