Gjermani, aksion masiv i Zoll-it në kantiere, mbi 200 punëtorë kapen pa leje qëndrimi
Një operacion në shkallë të gjerë është zhvilluar në të gjithë Gjermaninë ditëve të fundit, i fokusuar në luftën kundër punës së padeklaruar dhe punësimit të paligjshëm në industrinë e ndërtimit.
Gjatë këtij aksioni, Njësia e Kontrollit Financiar për Punën e Padeklaruar (FKS) e Shërbimit Doganor kontrolloi dhjetëra kantiere të mëdha ndërtimi, ku shpesh punëtorët shfrytëzohen ose bëhen pjesë e mashtrimeve nga nënkontraktorë të dyshimtë. Në operacion u angazhuan 2,800 oficerë doganorë, të cilët morën në pyetje mbi 8,000 punëtorë.
Rezultatet nxorën në pah një numër të madh shkeljesh në terren: u nisën rreth 300 procedura penale dhe mbi 400 procedura administrative për kundërvajtje. Ajo që bie në sy është se nga procedurat penale, më shumë se 200 raste kishin të bënin me punëtorë që qëndronin në Gjermani pa leje qëndrimi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, po hetohen me intensitet edhe mbi 1,800 indikacione për shkelje të tjera. Prej tyre, rreth 560 raste lidhen me mospagimin e sigurimeve shoqërore, ndërsa mbi 260 raste me mosrespektimin e ligjit për pagën minimale.
Ministri Federal i Financave, Lars Klingbeil, ka paralajmëruar një qasje shumë më të ashpër dhe ndryshime ligjore për të luftuar këtë fenomen. “Ne duam të intensifikojmë hetimet për të zbuluar më shumë raste, të mbrojmë njerëzit nga shfrytëzimi dhe të sigurojmë të ardhurat e shtetit,” theksoi ai, duke njoftuar një projektligj të ri.
Aksioni është mbështetur fuqishëm edhe nga Shoqata Qendrore e Industrisë Gjermane të Ndërtimit, e cila prej kohësh kërkon më shumë personel doganor për të mbrojtur kompanitë e ndershme nga dëmet e mëdha të këtij fenomeni. /Urgjent.com/