You dont have javascript enabled! Please enable it! Skema që tronditi Zvicrën: “njerzit humbën mijëra franga"

Skema që tronditi Zvicrën: “njerzit humbën mijëra franga”

Një 19-vjeçar francez është dënuar nga Gjykata në Lozanë pasi u shpall fajtor për përfshirje në një skemë të organizuar mashtrimi, ku autorët paraqiteshin si policë për të grabitur viktimat.

I riu është dënuar me 16 muaj burg, prej të cilëve 8 muaj do t’i vuajë efektivisht, ndërsa pas përfundimit të dënimit do të dëbohet nga Zvicra për një periudhë prej tetë vitesh.
Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ai kishte mashtruar banorë në kantonet Vaud dhe Fribourg, duke shkaktuar dëme financiare prej rreth 23 mijë frangash zvicerane.
Ky rast konsiderohet ndër proceset e para gjyqësore në Zvicër për fenomenin e mashtrimeve me “policë të rremë”, një skemë që është përhapur ndjeshëm vitet e fundit.

Sipas hetimeve, mashtruesit fillimisht kontaktojnë viktimat përmes telefonit dhe prezantohen si policë ose punonjës të sigurisë bankare. Ata krijojnë panik duke pretenduar se llogaria bankare e personit është në rrezik ose se ka pasur një tentativë mashtrimi.
Më pas, pasi fitojnë besimin e viktimës, dërgojnë persona në banesë të cilët marrin kartat bankare, kodet PIN, bizhuteritë ose sende të tjera me vlerë, me pretendimin se po i “sigurojnë” për nevoja hetimore.
Një pensionist zviceran, Jean-Marie, ka treguar se humbi 6 mijë franga pas një telefonate nga një person që u prezantua si inspektor policie.
Fenomeni ka marrë përmasa të mëdha në Zvicër. Sipas autoriteteve, që nga viti 2024 dëmet nga mashtrimet me policë të rremë dhe skemat e ngjashme kanë arritur në rreth 20 milionë franga zvicerane, ndërsa vetëm në muajin qershor janë regjistruar qindra raste dhe tentativa mashtrimi.
Policia zvicerane apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos japin kurrë të dhëna bankare, karta apo kode personale personave që paraqiten si zyrtarë përmes telefonit ose në derë të shtëpisë.