Një 46-vjeçar nga Kosova, i cili jeton dhe punon prej vitit 2016 në Slloveni si shofer profesionist i kamionëve, ka kontaktuar redaksinë e Urgjent.com për të denoncuar vështirësitë që po përballet në konvertimin e patentës së shoferit nga ajo kosovare në sllovene.
Ai pretendon se autoritetet ia kanë refuzuar dy herë kërkesën, ndërsa vendimi i fundit është arsyetuar me faktin se patentën e kishte vazhduar në Kosovë në vitin 2024, ndonëse kategoritë e drejtimit i kishte fituar shumë vite më parë.
Në rrëfimin e tij për Urgjent.com, qytetari ka treguar se në Slloveni kishte shkuar në vitin 2016 për të punuar si shofer kamioni, ndërsa një vit më vonë ishte pajisur me certifikimin profesional Kodi 95, i nevojshëm për ushtrimin e profesionit të shoferit në transportin rrugor.
Sipas tij, kërkesën e parë për konvertimin e patentës e kishte paraqitur në vitin 2020, por autoritetet sllovene ia kishin refuzuar. Ai pretendon se atëherë ishte informuar se nuk i plotësonte disa kushte ligjore, pasi familja e tij nuk jetonte në Slloveni, pavarësisht se ishte i angazhuar si shofer profesionist.
Në vitin 2021, 46-vjeçari kishte fituar statusin e banorit të përhershëm në Slloveni, ndërsa në vitin 2023 i ishte bashkuar edhe familja. Një vit më vonë, në vitin 2024, atij i kishte skaduar afati i patentës kosovare, të cilën e kishte vazhduar pranë autoriteteve të Kosovës. Ai thekson se nuk kishte fituar kategori të reja, pasi kategoritë për drejtimin e automjeteve të rënda i posedonte që nga viti 2009.
Problemi, sipas tij, është shfaqur sërish në vitin 2025, kur
kishte aplikuar për herë të dytë për konvertim. Pas rreth tetë
muajsh pritjeje, kishte marrë përgjigje negative, me
arsyetimin se patenta nuk i plotësonte kushtet për konvertim
për shkak se ishte vazhduar në Kosovë në vitin 2024.
Qytetari kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se
data e vazhdimit të dokumentit nuk duhet të barazohet me
datën e fitimit të kategorive.
Ai thotë se për këtë çështje ka angazhuar edhe një avokat,
me të cilin ka shqyrtuar dispozitat ligjore sllovene. Sipas
pretendimit të tij, ligji bën dallim ndërmjet fitimit të
kategorisë dhe vazhdimit të vlefshmërisë së patentës.
Qytetari shpreh pakënaqësi edhe për mënyrën e trajtimit të
rastit nga përfaqësimi ligjor, ndërsa pohon se çështja ka
mbetur e hapur prej rreth gjashtë muajsh.
“Unë nuk po dorëzohem dhe kam vendosur të shkoj deri në
gjykatën më të lartë të mundshme”, ka deklaruar 46-vjeçari
për Urgjent.com. Ai kërkon që rasti i tij të shqyrtohet në bazë
të datës kur i ka fituar kategoritë e drejtimit dhe jo vetëm
datës së vazhdimit të dokumentit. Pretendimet e qytetarit
për interpretimin e ligjit dhe arsyet e refuzimit nuk janë
verifikuar ende përmes vendimeve administrative të
autoriteteve sllovene.
Sipas 46-vjeçarit, ky vendim po ia rrezikon drejtpërdrejt të
ardhmen profesionale, pasi mund ta humbasë të drejtën për
të punuar si shofer kamioni, profesion që e ushtron prej
shumë vitesh. Ai pretendon se, ndonëse është shofer
profesionist dhe aktualisht vazhdon të punojë, në rast të një
kontrolli policor rrezikon të gjobitet për drejtim të automjetit
pa patentë të vlefshme. “Me këtë vendim, praktikisht po ma
mohojnë të drejtën për të punuar si shofer. Tani kam vetëm
dy mundësi: ose të filloj gjithçka nga e para për t’i marrë
kategoritë e patentës, proces që mund të zgjasë me vite,
ose të ndërroj profesionin”, ka deklaruar ai për Urgjent.com,
duke theksuar se pas kaq shumë vitesh përvojë, kjo situatë
po e vendos përballë një pasigurie të madhe profesionale
dhe ekonomike. /Urgjent.com/