Ndalet në aeroportin gjerman një burrë me valixhen plot me gjarpërinj
Një 45-vjeçar nga Meksika është ndaluar në aeroportin e Këln-Bon në Gjermani, pasi tentoi të fuste në vend më shumë se 90 zvarranikë, mes tyre dhjetëra gjarpërinj helmues dhe hardhuca.
Sipas autoriteteve doganore, burri, i cili punon si zjarrfikës në Meksikë, tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve pasi u shfaq dukshëm nervoz teksa po kalonte në korridorin e gjelbër të aeroportit, i cili përdoret nga udhëtarët që nuk kanë asgjë për të deklaruar, raporton BBC.
Fillimisht, doganierët i kryen një test për zbulimin e drogës, i cili rezultoi pozitiv për kokainë. Megjithatë, gjatë kontrollit të valixhes nuk u gjet asnjë lëndë narkotike, por një zbulim krejt tjetër: dhjetëra gjarpërinj dhe hardhuca të fshehura mes sendeve personale.
Në valixhe u gjetën nepërka, gjarpërinj me zile dhe lloje të tjera gjarpërinjsh, si dhe hardhuca, përfshirë iguanat. Kafshët ishin fshehur në shishe detergjentesh dhe kremrash, enë plastike dhe mes çorapeve.
“Bashkëpunëtorët e mi në aeroport janë mësuar të shohin shumë gjëra të pazakonta në valixhet e udhëtarëve, por deri më tani nuk kemi hasur në 37 gjarpërinj helmues të gjallë dhe 55 hardhuca të ardhura nga Meksika”, deklaroi Jens Ahland, zëdhënës i Doganës së Këlnit.
Edhe Botë Dyshime për dron në Gjermani, ndërpritet përkohësisht trafiku ajror në Nuremberg
Sipas tij, disa prej kafshëve mbaheshin në kushte çnjerëzore, ndërsa të tjera kishin ngordhur gjatë udhëtimit nga Mexico City, me ndalesë në Stamboll.
I ndaluari u tha autoriteteve se i kishte sjellë zvarranikët si favor për një të njohur nga Brazili. Megjithatë, ai nuk u lejua të hynte në Gjermani dhe u kthye me avion drejt Stambollit.